OSBE: Jo vetëm autorët e dhunës, por edhe nxitësit e saj, duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore

Prezenca e OSBE-së i dënon me forcë sulmet e dhunshme të këtyre ditëve kundër organeve përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, në disa bashki në Shqipëri. Të gjitha proceset politike dhe administrative duhet të zhvillohen në përputhje me parimet e shtetit ligjor.

Çdo përpjekje për të nxjerrë nga shinat procesin demokratik, përmes veprimeve të dhunshme, përbën shkelje të ligjit, pengon përparimin e vendit dhe njollos reputacionin e tij ndërkombëtar. Jo vetëm autorët e dhunës, por edhe nxitësit e saj, duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore. Ne bëjmë thirrje që autoritetet shtetërore të ndërmarrin të gjitha masat, sipas legjislacionit në fuqi, për të hetuar dhe ndjekur penalisht përgjegjësit e dhunës.

Gjithashtu, u bëjmë thirrje organizuesve të protestës së të premtes të sigurojnë një protestë paqësore. Në përputhje me mandatin e saj, Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të mbështetë shtetin ligjor dhe demokracinë në Shqipëri.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet