Operacion ndërkombëtar droge, sekuestrohen rreth 500 kg marijuanë

Policia shqiptare në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe ato malazeze, parandaluan një tentativë të trafikimit të lëndëve narkotike përmes detit. Falë operacionit të përbashkët u sekuestrua sasia e drogës, ndërsa trafikantët arritën t’i shpëtonin ndjekjes së policive të përfshirë në aksion. Policia shqiptare më dt 1 Shkurt 2016 kishte siguruar informacion se në ujërat ndërkombëtare rreth 20 milje larg brigjeve tona do të vinte një mjet peshkimi i dyshuar si mjet italian, për të marrë një sasi droge. Policia e Shtetit kaloi në gatishmëri të gjitha strukturat që monitorojnë hapësirën detare. Ndërkohë janë angazhuar edhe shërbimet e tjera të Policisë së Shtetit nga toka. Gjatë gjithë natës së 1 shkurtit dhe në mëngjesin e datës 2, u shkëmbye vazhdimisht informacion me Guardia di Finanza-n dhe Misionin Interforza për mundësinë e nisjes së mjeteve të dyshuara.

Në datën 2 shkurt 2016 rreth orës 14:15, Policia shqiptare u njoftua nga Guardia di Finanza se nga një mjet ajror identifikoi një gomone rreth 50-60 milje larg Barit, në veri të Barit, e cila ecte me shpejtësi nga Jugu në Veri. Drejtoritë rajonale të Kufirit në Vlorë, Durrës, Stacioni i PKM Shëngjin, roja Bregdetare dhe forcat Delta nxorën menjëherë në det 8 mjete lundruese për patrullim. Policia shqiptare vijoi kontrollin e hapësirës ujore duke koordinuar operacionin me Policinë kufitare malazeze, e cila angazhoi 2 mjete detare. Gjithashtu u shkëmbye informacion me Guardia di Finanzën, e cila angazhoi dy mjete lundruese për lundrime ne thellësi te hapësirës ujore 1 në Vlorë dhe 1 në Durrës.

Mjeti i dyshuar tip gomone që po lëvizte me shpejtësi në drejtim të vendit tonë u ndoq nga mjetet e Guardia di Finanza nga deti dhe nga ajri. Gjatë ndjekjes, shërbimet shqiptare me anë të radarit konstatuan se gomonia mori kursin në drejtim të ujërave ndërkombëtare përballë ujerave territoriale të Malit të Zi. Për t’u lehtësuar nga pesha dhe ecur më shpejt, trafikantët hodhën në det drogën, rreth 500 kg, e cila u sekuestrua nga autoritetet italiane në ujërat ndërkombëtare. Duke kryer manovra të rrezikshme, gomonia u zhduk në hapësirën detare rreth 8 milje jashtë ujërave territoriale të Malit të Zi. Ndërkohë po vijojnë hetimet për zbulimin e autorëve të implikuar në këtë trafik ndërkombëtar droge.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet