PDIU kundër PD, rrëzohet rezoluta për Jeruzalemin

Rezoluta e partisë demokratike e cila i kërkonte qeverisë shqiptare që të ndryshonte qëndrim lidhur me votën kundër në OKB për Jeruzalemin, ka bërë bashkë PS dhe PDIU. Kuvendi e rrëzoi këtë rezolutë me 73 vota kundër 1 abstenim dhe 11 pro. Me 73 vota pro u miratua edhe rezoluta e PS, e cila mbështet qëndimin e mbajtur nga qeveria dhe votën kundër shpalljes së Jeruzalemit kryeqytet të Izraelit. Kuvendi dje po ashtu ka rrëzuar edhe me 70 vota kundër, 9 pro dhe 4 abstenim projektligjin për statusin e minatorit. Një projektligj i hartuar nga deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Përparim Spahiu. Mazhoranca ka bërë të ditur se do të hartoj një tjetër pasi projektligji në fjalë kishte shumë mangësi.

Ndërkohë siç ishte paralajmëruar, në seancën e djeshme u miratuan edhe anëtarët për KLP dhe KLGJ. Me 72 vota pro 1 kundër dhe 1 abstenim u vendosën 5 anërët përfundimtarë për KLP dhe 5 për KLGJ. Votat nuk mjaftuan as këtë herë, por ligji e parashikon që lista e tretë edhe në mungesë konsensusi konsiderohet e miratuar. Kështu 5 anëtarët e zgjedhur nga ana e Kuvendit për Këshillit e Lartë Gjyqësor janë Fatmira Luli dhe Alban Toro nga radhët e avokatisë. Kurse Erion Muharremaj dhe Maksim Qoku janë anëtarët e zgjedhur nga radhët e pedagogëve. Ndërsa anëtarja që do të përfaqësojë shoqërinë civile në KLGJ është Naurela Llagami. Kurse sa i takon Këshillit të Lartë të Prokurorisë, anëtarët nga radhët e avokatisë janë Nurihan Seiti dhe Tartar Bazaj. Ndërsa anëtarët nga radhët e pedagogëve janë Gent Ibrahimi dhe Sandër Beci. Kurse Alfred Balla do të jetë anëtari i shoqërisë civile i KLP. Me ngritjen e KLP dhe KLGJ, i është hapur rruga ngritjes së SPAK dhe Byrosë Kombëtarë të Hetimit, dy organeve më të rëndësishme të reformës në drejtësi që do të kenë në fokus zyrtarë të lartë të përfshirë në korrupsione.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet