Pekin, Nora Malaj: teknologji dhe kreativitet për sistemin e edukimit shqiptar

intervistoi Edison MYRTEZAI

Znj.Malaj, mirë se na keni ardhur këtu në Pekin

Ndihem shumë e lumtur dhe e privilegjuar që ndodhem sot në kryeqendrën e Kinës në këtë vend nga ku mesa po shoh, edukimi dhe investimi për edukim qenka në rritme të papara.

Cila është arsyeja e ardhjes suaj zyrtare këtu në Pekin?

Universiteti i Tiranës ose Instituti Konfuci në bashkëpunim me fakultetin e gjuhëve të huaja, prej kohësh ka nisur bazat e forcimit të marrdhënieve mes dy vendeve në fushën e arsimit. Ndodhemi sot këtu në universitetin e gjuhëve të huaja, nga ku edhe gjuha shqipe bën pjesë në njërin nga universitetet më të mëdha të kinës. Të studiohet mjeshtërisht dhe për kaq e kaq vite gjuha shqipe jo vetëm në këtë institucion por edhe mes qindra gjuhëve të tjera të rëndësishme botërore në këtë vend kaq të madh, është nder dhe privilegj për ne. Firmosja e marrveshjeve mes ministrive të të dyja vendeve, bëri që unë në postin që kam të ndërmarr një udhëtim të largët por shumë të paharrueshëm dhe të shoh nga afër çfarë mundësish ofron ky universitet për studentët kinezë të cilët mësojnë gjuhën shqipe dhe ajo që studentët shqiptarë mësojnë gjuhën kineze.

Nga ajo çfarë patë vetë personalisht dhe stafi juaj, çfarë ju la përshtypje deri tani dhe si duket niveli i gjuhës shqipe i studentëve kinezë?

Dua të them dy gjëra tepër të rëndësishme për këtë fakt. Para se të vija këtu kam parë nga afër nxënësit shqiptarë të cilët po mësojnë gjuhën kineze në Tiranë. Jam çuditur se sa mirë i shqiptojnë fjalët dhe sa shumë kanë ecur me këtë gjuhë e cila edhe mua personalisht më duket jashtë mase e vështirë. Aktivitetet e ndryshme që shqiptarët zhvillojnë në kinezisht janë fantastike. Por me thënë të drejtën sot kam ngelur e befasuar nga studentët kinezë të cilët mësojnë këtu në Pekin. Kanë vetëm 6 muaj që kanë nisur të mësojnë shqip dhe e flasin kaq mirë. Vjershat, këngët, mënyra e të komunikuarit me ta më ka lënë pa fjalë dhe të mendosh se gjuha shqipe është kaq e vështirë për shkak të gramatikës, zgjedhimit të foljeve, kundrinorët e shumë të tjera, të cilat janë shumë të thjeshta në gjuhën kineze.

Si e shihni sistemin e edukimit të të gjitha niveleve këtu në Kinë dhe ndryshimi përballë tij me sistemin në Shqipëri?

Ndryshimi në një farë mënyre është i madh. Të mos flasim për sistemin e përdorimit të dërrasave të zeza, aq shumë të përdorshme tek ne. Këtu sistemi i mësimit është përqëndruar më tepër në mënyrën teknike si në përdorimin e tabletave, celularëve apo edhe shikimit dhe edukimit me ekran me prekje dhe parje të asaj çfarë mësohet. Ky lloj sistemi ka nisur disi të futet tek ne por jo gjithkund pasi ka proçesin e kohës dhe shpenzimt e veta. Një lloj i tillë sistemi jo vetëm që do të shkurtojë kohën e shkruarjes në dërrasë të të dhënave, por i jep mundësinë nxënësve të jenë vetë krijues. Një gjë e veçantë është se këtu në Kinë fëmijët e vegjël të kopështeve nëpërmjet imagjinatës arrijnë të krijojnë shkencë, gjë e cila mungon shumë në arsimin shqiptar. Arrijnë të krijojnë makineri me mjete të ndryshme, raketa të vogla, madje edhe dronë të lëvizshëm. Pra, gjithçka merret që nga baza.

Sa rëndësi mund të ketë gjuha kineze në Shqipëri?

Aktualisht në vendin tonë janë 5 klasa që studiojnë këtë gjuhë. Përveç institutit i cili e bën shumë mirë punën e tij, kemi tre klasa në dy shkolla të njohura në Tiranë të cilat kanë futur mësimin e gjuhës kineze në kurrikulën e tyre arsimore si dhe dy klasa në klasën e nëntë në një tjetër shkollë. Synimi është që të arrihet të mos ketë interes vetëm nga ata të sistemit Barchelor, por nga të treja sistemet arsimore. Kjo është ajo çfarë mua më pëlqen këtu pasi këta dalin nga një sistem tre shkallësh deri në diplomim apo edhe më pas mësuesi të gjuhës shqipe po këtu në Pekin dhe në auditoret ku më parë ata kanë studiuar këtë gjuhë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

1 Komentet

  1. Bledi   e Mërkurë 22 Mars, 2017

    Sa mire qe te pakten behet dicka ne emer te Shqiperise edhe atje ne Kine.