Peleshi, investoni dijet tuaja në Shqipërinë moderne

"Të ndryshojmë imazhin e Shqipërisë në botë"

TIRANË - Forumi i Unionit të të Rinjve të Diasporës, që zhvilloi punimet të martën paradite në Tiranë, u mbajt në kuadër të bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë në fushën e arsimit.

Zv.kryeministri Niko Peleshi në fjalën e mbajtur me këtë rast u shpreh se, studentët e diasporës janë “ambasadorët” e krijimit të imazhit të ri të Shqipërisë në botë.

Peleshi ftoi të rinjtë e diasporës të investojnë dijet dhe përkushtimin e tyre për Shqipërinë moderne, që siç tha ai, duhet të jetë në axhendën e gjithsecilit. Numri dy i qeverisë theksoi se, Shqipëria ka nevojë për dijet e të rinjve dhe modele suksesi.

“Të ndryshojmë imazhin e Shqipërisë në botë. Shqipëria ka sot dhe do të ketë nevojë për dijet tuaja. Shumë prej jush janë edukuar në universitetet më të mira të botës, kemi nevojë për këto dije. Kemi nevojë për modelin e suksesit. Shqipëria e re dhe moderne duhet të jetë axhenda e gjithsecilit. Duhet ta bëjmë këtë kudo ku jemi, që nga një bisedë me një të huaj për Shqipërinë, ku ne na duhet të shtojmë mesazhet dhe informacionet për Shqipërinë, deri te kontributi i drejtpërdrejtë përmes investimit të dijeve për Shqipërinë. Le ta kemi në mendje, në zemër dhe në planin tonë të punës Shqipërinë moderne”, deklaroi Peleshi.

Zv.kryeministri tha ndër të tjera se, roli i diasporës është shumë i rëndësishëm dhe se emigrantët kanë po ashtu rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë, artit, kulturës dhe shoqërisë.

Duke u ndalur në marëdhëniet e Shqipërisë me Kosëvën, Zv.kryeministri Pelesh vuri në dukje se, zhvillimet dhe roli i diasporës së vjetër dhe të re padyshim që e meritonin krijimin e një ministrie për Diasporën, për vetë faktin siç u shpreh ai se, ka një numër të konsiderueshëm të emigrantëve jo vetëm në vendet e rajonit Greqi, Itali por edhe në SHBA e Australi.

“Sot jetojmë në një kohë kur Kosova është e pavarur dhe ka një rrugë të përbashkët me Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, ndaj dhe roli i diasporës mbetet faktor kyç në ndërtimin e modelit modern evropian”, u shpreh ai.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet