Përcaktohen emrat e anëtarëve të Komisionit që do të përzgjehin KLP dhe KLGJ

Është hedhur hapi i rëndësishëm për ngritjen e KLP dhe KLGJ. Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zyrtarizoi ngritjen e nënkomisionit ad hoc që do të përcaktojë gjyqtarët dhe prokurorët që do të bëhen pjesë e këtyre dy institucioneve. Nënkomisioni ad hoc përbëhet nga 5 anëtarë përkatësisht 3 nga radhët e mazhorancës dhe 2 nga opozita. Kështu, Oerd Bylykbashi është caktuar nga Partia Demokratike në cilësinë e nënkryetarit dhe anëtarit të nënkomisionit ad hoc të përzgjedhjes së dhjetë anëtarëve të KLGJ dhe KLP. Ndërsa nga Lëvizja Socialiste për Integrim është caktuar Nasip Naço. Ndërkohë nga Partia Socialiste do të jenë Ulsi Manja, Vasilika Hysi dhe Klotilda Bushka.

Nënkomisioni nis punë rreth 24 orë më vonë nga emërimi i tij dhe zgjedh listën që do t’i dorëzohet Kuvendit për votim. Lista duhet të ketë 5 emra për KLP dhe 5 të tjerë për KLGJ. Parlamenti ka 7 ditë kohë për miratimin e tyre me 2/3 tretat e votave. Nëse zgjedhja dështon nën komisioni brenda dy ditëve dërgon një listë tjetër, të dytë. Nëse edhe lista e dytë dështon dhe nuk miratohet atëherë lista e tretë që dërgohet është automatikisht e miratuar edhe nëse nuk aprovohet kjo nga parlamenti. Pas ngritjes së këtyre dy organave kaq me rëndësi për drejtësinë, rruga hapet për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe krijimin e SPAK të cilat janë projektuar për të goditur krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet