Idajet Faskaj, Drejtori i drejtorisë kundër narkotikëve në policinë e shtetit

Përfundon operacioni ndërkombëtar i drogës ''Il Moro'': tetë në pranga

Il Moro 2015 është operacioni ndërkombëtar i antidrogës, i finalizuar me bashkëpunimin e policisë gjermane, italiane dhe asaj shqiptare, dhe i shtrirë në Shqipëri, Itali e Gjermani. Tetë në pranga, nga këta 3 në Vlorë dhe 5 në Itali. Nga të arrestuarit, 6 janë shtetas shqiptarë, 1 maroken dhe 1 italian.

Operacioni është pjesë e veprimtarisë policore të përbashkët mes Policisë së Shtetit, sektorit kundër narkotikëve dhe trafiqeve të paligjshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Hetimit të Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, strukturat policore italiane të Firenzes të koordinuar nga zyrat ndërlidhëse të Policisë Italiane Interforcë në Tirane dhe asaj të Policisë Shqiptare në Bari e Romë.

Hetimi ka nisur më parë nga autoritetet italiane (2015) dhe bënte fjalë për një grup të strukturuar kriminal, i cili kryente trafikun e kokainës dhe marijuanës nga vendet e ulëta të Europës në drejtim të Italisë së Veriut. Në përbërje të grupit ishin 9 shtetas shqiptarë, 1 shtetas italian dhe 1 shtetas maroken.

Kreu i këtij grupi konsiderohej shtetasi shqiptar B.SH. Nga hetimet e deritanishme rezulton se aktiviteti kriminal i kryer nga ky grup nuk ka lidhje me Shqipërinë. Qendra e veprimtarisë së grupit ishte Fierence. Janë përdorur teknika speciale të hetimit, falë bashkëpunimit midis dy vendeve janë identifikuar të gjithë antarët e grupit kriminal, është dokumentuar veprimtaria kriminale e këtij grupi dhe për këtë Gjykata italiane ka vendosur masat e arrestit për të gjithë pjestarët e grupit.

Si rezultat i operacionit të sotëm të zhvilluar njëkohësisht në të tre vendet, janë arrestuar 3 shtetas në Shqipëri, 5 shtetas në Itali si dhe pritet arrestimi i personave të tjerë në Gjermani. Të arrestuarit janë: B. SH, 31 vjeç; B. H,41 vjeç; dhe V. S. 56 vjeç.

Ndërkohë që në Itali janë arrestuar: A.Ç., 31 vjeç; A. Ç.,33 vjeç; E. F., 35 vjeç; edhe këta shtetas Shqiptarë, si dhe M. S., 30 vjeç Maroken dhe R. A. 37 vjeç Italian.

Policia e Shtetit vijon punën në bashkëpunim të ngushtë dhe pa kompromis me partnerët e saj duke intensifikuar më tej goditjet ndaj grupeve kriminale që veprojnë në territorin e Shqipërisë apo në territoret e vendeve partnere. Përfitojmë nga rasti të falenderojmë partnerët dhe në veçanti Shërbimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane.

Operacioni vijon ende dhe pritet rezultati edhe nga policia gjermane.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet