Përgjimet e Bild/ Arta Marku e njeh ligjin, por nuk zbardh të vërtetën

Duke marrë shkas nga publikimi i disa materialeve të përgjimit në gazetën gjermane “Bild”, Prokurori i Përgjithshëm njoftoi sot opinionin publik se po ndjek çështjen me shumë vëmendje dhe ashtu siç ka kërkuar edhe më përpara, u bën thirrje prokurorëve që kanë në hetim çështjet 339 dhe 184, që të hetojnë dhe të zgjidhin pa humbur kohë këto çështje, duke vënë para përgjegjësisë penale këdo që ka konsumuar një vepër penale.

Përmes një deklarate për shtyp nga institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm thuhet se, prokurorët që kanë në hetim çështjet 339 dhe 184 janë autoritetet e vetme në ushtrimin e ndjekjes penale për këto çështje. “Ky është jo vetëm detyrim kushtetues dhe ligjor, por edhe një detyrim publik për të bërë të qartë çfarë ka ndodhur me këto çështje dhe çfarë kanë ato në përmbajtje.

Prokurori i Përgjithshëm ndjehet i indinjuar që në radhët e prokurorisë akoma militojnë prokurorë apo punonjës të tjerë që janë gati që për interesa të vogla personale të bëjnë pazar me çdo dosje penale duke kontaminuar opinionin publik me informacione të pahetuara dhe të paverifikuara nga ata vetë si autoritete përgjegjëse për hetimin dhe verifikimin e tyre”, thuhet në këtë deklaratë. Prokurori i Përgjithshëm i bën thirrje prokurorisë kompetente që të hetojë me shpejtësi nxjerrjen në publik të akteve që përbëjnë sekret hetimor dhe të vihet para përgjegjësisë penale kushdo, prokuror, oficer i policisë gjyqësore apo dikush tjetër që ka poseduar për shkak të ligjit CD-të, dhe në vend që të ushtronte funksionet ligjore dhe të kryente hetimin objektiv, ka bërë publikimin e tyre. Prokurori i Përgjithshëm njofton opinionin publik se ka filluar një verifikim administrativ të mënyrës sesi kanë lëvizur CD-të dhe DVD-të, si dhe çdo material tjetër përgjimi, nga Zyra e Përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, në drejtim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm, në zbatim të kompetencave aktuale njofton opinionin publik se ka miratuar udhëzimin nr.4, dt.26.10.2018 “Për përgjimet” ku përcaktohen në detaje rregullat për ruajtjen e sekretit të përgjimit.

“Nxjerrja e sekretit ka ardhur jo si pasojë e mungesës së ligjeve apo akteve nënligjore dhe administrative, por për arsye të tjera larg çdo norme ligjore apo morale”, thuhet në këtë deklaratë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet