Përurohet godina e re e Forcave Speciale RENEA

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, teksa ka marrë pjesë në përurimin e godinës së re të forcave speciale, ka folur për ligjin e “kamerave” ku ka thënë se zbatimi do të nisë tek subjektet me rrezikshmëri të lartë. Ai ka shtuar se zbatimi i këtij ligji do të nisë shumë shpejt. “Për ligjin e kamerave përshëndes deputetët. Së shpejti nis zbatimi. Zbatimi do të nisë me subjektet që kanë risk të lartë, përfshi kopshet dhe shkollat. Ligji i kamerave është për të parandaluar krimin. S’ka Shqipëri të sigurt nëse nuk investohet në siguri”, ka thënë ai. Sa i përket kallëzimit të bërë në prokurori nga kompania që ka sjellë uniformat, Tahiri ka thënë se kjo është një shenjë e mirë që qeveria dhe ministria janë për respektimin e standardeve. “Kallëzimi në Prokurori i kompanisë që solli uniformat, shembull i mirë se jemi për respektimin e standardeve”, tha ministri. Duke u ndalur te akuzat e opozitës, Tahiri ka shtuar se “Le të hedhin baltë, ne ecim përpara”.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, premtoi të tjera investime për policinë në infrastrukturë dhe teknologji. ” Me këtë investim sot përurojmë mjediset më moderne të forcave speciale në Shqipëri, por ndoshta dhe në rajon. Ky është angazhim yni i përmbushur. Policia e Shtetit duhet të ketë kushtet e duhura infrastrukturore dhe teknologjike për të bërë detyrën. Jemi të vendosur për të vazhduar përpara me reformat, punën e policisë, rritjen e investimeve. Jemi mësuar që dhe sukseset tona të na kthehen mbrapsht nga opozita si akuza”. Ministri tha se ky repart elitar ishte lënë në gjendje të mjerueshme. “Është për të ardhur keq sesi ju si repart elitar rrinit në ato kushte. Kjo jua bën punën më të lehtë në përballje me krimin, por sigurisht më komode për stërvitjen. Ka ende shumë për të bërë, por jemi në një rrugë të mbarë. Ju falenderoj për të gjithë angazhimin tuaj. Jeni pjesë e elitës së Policisë së Shtetit, është në dorën tuaj që të bëni gjithçka që të ndërtoni besimin e qytetarëve tek policia”, tha Tahiri. Në ceremoni Tahiri shqoërohej nga kreu i Policisë së Shtetit Çako dhe deputetë socialistë të Komisionit të Sigurisë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet