Policia, asnjë gjurmë nga Klement Balili në Shqipëri

Një ditë pas mbërritjes së urdhërarrestit nga shteti grek, policia shqiptare ka nisur kërkimet për Klement Balilin, me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. Policia e Tiranës dhe e Sarandës kanë kryer disa verifikime në lidhje me vendodhjen e të kërkuarit por pa gjetur asnjë gjurmë. Forcat e sigurisë kanë verifikuar dje disa banesa të personave të afërt me të, por pa arritur të lokalizojë të dyshuarin. Nga ana tjetër Prokuroria nuk ka kryer asnjë veprim pasi pala greke nuk ka përcjellë ende asnjë vendim gjyqësor apo provë penale, në lidhje me akuzat ndaj Balilit. Klement Balili u zhduk javën e kaluar, vetëm një ditë pasi deklaroi se nuk ishte i përfshirë në trafikun e 750 kg marijuanë të kapur në Zakinthos të Greqisë. Ky aksion i policisë greke, çoi në arrestimin e 15 personave në Greqi dhe 2 të tjerëve në Belgjikë. Ndërkohë policia shqiptare po bën verifikimet e hyrje-daljeve të disa shtetasve grek që kanë ardhur në Sarandë dhe janë takuar me Balilin.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet