Policia e Shtetit: Kemi informacione shqetësuese, organizatorët të largojnë personat me rrezikshmëri

Pak orë përpara mbajtjes së protestës së paralajmëruar të opozitës, Policia e Shtetit përmes në dalje për mediet u ka bërë thirrje organizatorëve që të bashkëpunojnë, me qëllim shmangien e dhunës gjatë mbarëvajtjes së saj.

Duke bërë thirrje që protestuesit të mos tejkalojnë kufijtë e ligjit, Aida Hajnaj, zv.drejtore e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, u shpreh se gjatë protestave të mëparshme të organizuara nga opozita janë konstatuar persona me precedentë penalë.

”Sot disa forca politike kanë thirrur një tubim proteste. Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të garantuar lirinë demokratike të tubimit dhe njëkohësisht ka kërkuar bashkëpunimin e organizatorëve për të shmangur dhunën gjatë saj. Për shkak të informacioneve shqetësuese që Policia disponon, në vazhdën e protestave të shkuara të të njëjtave subjekte politike, u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të mos tejkalojnë kufijtë e ligjit. Nisur nga ngjarja e rëndë e protestës së kaluar ku protestues të dhunshëm goditën me shufra metalike protestues paqësorë, u bëjmë thirrje organizatorëve të largojnë nga turma njerëz me maska apo me mjete të forta në duar, duke ia dorëzuar menjëherë Policisë. Policia e Shtetit ka konstatuar me shqetësim se mes të ndaluarve në protestat e shkuara ka individë me precedentë të rëndë penale, siç ishte rasti i njërit prej dhunuesve të dy protestuesve paqësorë, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge. I bëjmë thirrje të drejtpërdrejtë organizatorëve të marrin të gjithë përgjegjësinë e tyre për moslejimin e devijimit të protestës”, – theksoi ajo.

Hajnaj u bëri gjithashtu thirrje protestuesve që të mos përdoren mjetet piroteknike gjatë kësaj proteste, pasi sipas saj vihet në rrezik jeta e qytetarëve dhe e punonjëve të Policisë.

“Po ashtu, rikujtojmë se përdorimi i mjeteve piroteknike është jo vetëm i paligjshëm, po edhe tejet i rrezikshëm për shëndetin e jetën e punonjësve të Policisë dhe qytetarëve. Policia e Shtetit do t’i qëndrojë strikt parimit demokratik të proporcionalitetit dhe është e përgatitur të reagojë në proporcion të plotë, me çdo akt dhune. Po ashtu u kërkojmë qytetarëve të Tiranës, që nuk janë të interesuar për protestën, të shmangin lëvizjen në perimetrin e protestës së sotme, e cila do të jetë nën monitorimin e plotë të Policisë”, – tha në mbyllje të njoftimit Hajnaj.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet