Policia merr masat për festat e fundvitit

Policia e Shtetit ka marrë masa shtesë për të siguruar mbarëvajtjen e festave të fundvitit. Kjo për shkak të fluksit të madh të shtetasve që hyjnë e dalin nga territori i vendit, rritjes së numrit të mjeteve në qarkullim, zhvillimet e aktiviteteve festive dhe përdorimit të fishekzjarreve. Kështu me anë të masave të marra parashikohet që të ketë më shumë siguri për të gjithë, parandalim për akte kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në aktivitete kriminale. Strukturat e Policisë do të analizojnë dhe rivlerësojnë informacionet për identifikimin e autorëve të ngjarjeve kriminale kundër jetës e pronës, për konflikte për motive të ndryshme, persona në kërkim, si dhe të organizojnë operacione për kapjen e tyre, duke angazhuar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Do të ketë operacione të shumta në terren, kontroll personal gjithashtu pika kontrolli për makinat. Strukturat e Policisë kanë planifikuar masa për mbajtjen në kontroll të situatës së sigurisë, në veçanti në sheshe publike, Qendra Tregtare që frekuentohen nga numër i madh qytetarësh, lokale dhe restorante, apo sheshe ku do të organizohen aktivitete festive. Për të parandaluar çdo akt kriminal policia ka në fokus vendet e këmbimit valuator, banka apo tregje ku shpesh ndodhin mjaft incidente.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet