Presidenti i jep shtetësinë shqiptare kryepeshkopit Janullatos

Pas 25 vitesh në krye të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, presidenti i vendit Ilir Meta ka vendosur t’i japë shtetësinë shqiptare kryepeshkopit Anastasios Janullatos. Së bashku me urimin për Krishtlindjen, Meta i dhuroi edhe nënshtetësinë shqiptare Kryepeshkopit. "Në këtë ditë të bekuar të Krishtlindjeve, jam shumë i lumtur t’Ju bëj me dije se kam marrë vendimin, edhe në vijim të vullnetit Tuaj “...për të vërtetuar lidhjen e pandashme me vendin që doni sinqerisht dhe i shërbeni me vetësakrifikim...”, t’ Ju jap shtetësinë shqiptare, nëpërmjet Dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Nr. 10700, të datës 22 dhjetor 2017". Këtë vendim e ka përshëndetur edhe ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias. Në një postim në rrjetet sociale, Kotzias thotë se një akt i tillë është njohje e punës së tij humanitare dhe forcimit të besimit mes dy popujve. "Unë e mirëpres dhënien e shtetësisë shqiptare për kryepeshkopin shqiptar Anastasios, një njeri i mençur, nga Presidenti Meta. Kjo është njohje e punës së tij të thellë humanitare dhe forcimit të besimit midis popujve tanë."

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet