Prezantohen drejtorët e ALUIZNI-t dhe hipotekave, Rama: sfidën e keni me popullin

Ditën e djeshme janë prezantuar drejtorët e rinj të ALUIZNIT dhe hipotekave në vend të cilët e kanë fituar këtë post me anë të konkurseve publike. Në këtë prezantim ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama i cili i lëshoi një paralajmërim të fortë të gjithë drejtuesve të rinj ende pa nisur punë. Ai u shpreh se të gjithë drejtorët do të duhet të kalojnë provën me qytetarët në mënyrë që të jenë të zotë të mbajnë vendin e tyre. Rama vijoi më tej duke thënë se çdo drejtor do të mbajë përgjegjësi vetë për ankesat e njerëzve të thjeshtë.

“Të gjithë jeni në provë. Provën nuk e keni me ndonjë parti, nuk e keni as me qeverinë, por e keni me popullin shqiptar dhe me publikun e me qytetarët që vijnë në dyert e hipotekave. Kjo është prova. Nga ky moment, çdo drejtor hipoteke do mbajë përgjegjësi për çdo ankesë të qytetarëve, për dhënien në kohë të përgjigjes ndaj qytetarit dhe marrjen e masës se kush është përgjegjës që qytetari është vonuar apo zvarritur në hipotekë”, u shpreh kreu i qeverisë.

Rama theksoi gjithashtu se do të jenë ata përgjegjës për çdo vonesë që do ti bëhet kërkesës së qytarëve. Ai u shpreh se në këto raste drejtorët do të dalin para drejtësisë dhe se çdo kthim mbrapa i dosjes së certifikuar e të vulosur nga ALUIZNI, do të jetë letër dorëheqjeje e drejtorit të hipotekës.

“Është e papranueshme që kërkesa të mbajtura tre vjet, katër apo pesë vjet nëpër sirtarë të zgjidhen për tre ditë, kur ndërhyn drejtpërdrejtë ministrja e Drejtësisë, në bazë të kërkesës së qytetarit, që do të thotë se është mbajtur abuzivisht, arbitrarisht dhe për këtë i është krijuar një kosto shumë e madhe morale, psikologjike, financiare, ekonomike, familjare, qytetarit. Për këta individë ka vetëm një metodë, çuarja përpara drejtësisë. Atje në radhë, tek dera e prokurorisë të përgjigjen, pse nuk kanë bërë detyrën dhe ping-pongu me ALUIZNI-n, duhet të marrë fund. Çdo kthim mbrapa i dosjes së certifikuar e të vulosur nga ALUIZNI, do të jetë letër dorëheqjeje e drejtorit të hipotekës.”

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet