DH Albania, Prokuroria sekuestron garancinë e kontratave: a do të hetohet Ministria?

Garancia prej 10% e kontratave të anuluara tashmë të kompanisë DH Albania, do të sekuestrohet, dhe materialet e ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i referohen Prokurorisë që ka hapur një hetim për falsifikimin e dokumenteve zyrtare nga kompania DH Albania. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, bëri të ditur këtë masë në një dalje për mediet, ku informoi anulimin e dy kontratave të DH Albania, një për Unazën e re dhe tjetra për tenderin me Operatorin e Sistemit të Transmetimit. Prokuroria ka hapur hetim për falsifikimin e dokumenteve zyrtare nga kompania DH Albania. Të njëjtën praktikë ka ndjekur edhe Operatori i Sistemit të Transmetimit.

“Dua të theksoj se falsifikimi i të gjitha dokumenteve rezulton të jetë kryer jashtë territorit të Shqipërisë. Siguroj opinionin publik se hapat e ndjekura nga ARRSH për kryerjen e procedurës për tenderim kanë qenë në përputhje me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik. Edhe oferta e paraqitur nga kompania në fjalë, në mënyrë elektronike, ka qenë në përputhje me kërkesat e dokumentave te tenderit që njeh legjislacioni”, tha ministri Gjiknuri.

MInistri nuk sqaroi gjithsesi se çfarë do të thotë ''ishin në përputhje'' me kërkesat e dokumentave. Asnjë dokument i fallsifikuar nuk është në përputhje me ligjin. A duhej që ministria të verifikonte veprimtarinë e kompanisë amerikane dhe mbi të gjitha autenticitetin e dokumenteve të përcjellë, nëpërmjet Ambasadës Amerikane? Nëse po, pse nuk e bëri?

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet