Prova të reja për proçesin e 21 Janarit, Strasburgu vendos rihapjen e çështjes

Çështja e “21 Janarit” shkon në Strasburg. Më datë 28 Mars 2019 ajo mori vendimin përfundimtar, por qeveria shqiptare ka premtuar se do të rihapë hetimet për çështjen e 21 Janarit. Detaje më shumë rreth këtij vendimi dha dje në një prononcim për mediat vetë avokati i familjarëve të viktimave, Dorian Matlia. Pas dakordësimit mes qeverisë dhe të afërmve që këta të fundit të marrin një dëmshpërblim shtesë, është rënë dakord edhe që të ketë një proçes të ri hetimor për këtë ngjarje të rëndë të ndodhur në vitin 2011 në mes të Bulevardit Dëshmorët e Kombit.

Hetimi dhe gjykimi në këtë çështje nuk është bërë në përputhje me standardet e Konventës. Si rezultat ka marrë përsipër të paguajë një dëmshpërblim shtesë për këto familje, e gjithashtu ka marrë përsipër të rihapë çështjen e 21 Janarit, për t’i dhënë mundësinë edhe familjarëve që të marrin pjesë në gjykim. Shpresat janë që pas vendimit të Strasburgut, qeveria të bëjë padi të re në prokurori dhe më pas t’i hapet rruga rigjykimit të dosjes.

Në këtë mënyrë, gjithçka do të hetohet nga e para dhe çdo detaj a çdo provë e fshehur apo e mbajtur larg vëmendjes do të merret sërish në konsideratë. Rihapja e dosjes do të bëjë që të vihen para drejtësisë autorët e vërtetë. Për tragjedinë e “21 Janarit” janë dënuar nën akuzën e “Vrasjes nga pakujdesia” Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, por ky vendim nuk i kënaq të afërmit e viktimave, të cilët prej vitesh kërkojnë drejtësi. Mesa duket, më në fund thirrjet e tyre për të ndëshkuar ata që kanë urdhëruar vrasjen e katër protestuesve do të dëgjohen.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet