Qytetari nga Shkodra merr hipotekën e banesës pas 13 vitesh zvarritje

Qytetari nga Shkodra, Edmond Çuni u përpoq të legalizonte banesën e tij që prej vitit 2006, pra 13 vite më parë, por gjeti zgjidhje vetëm pas aplikimit në platformën e bashkëqeverisjes “Shqipëriaqëduam.al”. Çuni, i pranishëm në takimin e përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes, ku merrte pjesë edhe kryeministri Edi Rama, tha se ishte endur zyrave të ALUIZNI-t dhe Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurisë në Qarkun Shkodër, por pa gjetur kurrë zgjidhje, për shkak të një mospërputhje në hartën ku ishte dhe territori i banesës së tij.

“Aplikova për të marrë legalizimin, hipotekën. Aplikimin e parë e kam bërë në vitin 2006. Janë bërë matjet dhe gjithnjë kaloja nga një zyrë në tjetrën, duke u zvarritur sa andej këndej. Aplikova në portalin “Shqipëriaqëduam.al”, mosbesues me thënë të drejtën. Por menjëherë erdhën dhe bënë matjet në banesën time. Më thanë që ka një mos përputhje mes sipërfaqes së deklaruar të parcelës ndërtimore dhe hartës që dispononte Hipoteka dhe Aluizni, prandaj u detyrova të ri-aplikoja dhe një javë para përfundimit të afatit mora legalizimin e banesës. Ju falënderoj shumë për këtë”, tha Çuni.

Kryeministri Edi Rama, duke nisur nga rasti në fjalë, u shpreh se tashmë qytetarët s’do kenë më nevojë të enden nga zyra në zyrë, por ALUIZNI dhe Hipoteka do të jenë në një zyrë të vetme. “U angazhuam për një reformë të rëndësishme sa i takon çështjes së titujve të pronësisë. Sot nuk kemi më hipotekë dhe ALUIZNI të ndarë, por kemi një agjenci të vetme e cila sapo ka filluar procesin e bashkimit të të dyjave dhe i kemi dhënë fund pas 20 vitesh një ecejakeje të pafund të qytetarëve mes ALUIZNI-t dhe Hipotekës”, tha Rama

“Procedura e deritanishme ka sjellë shpenzime energjie të pafundme nga qytetarët mes ALUIZNI-t dhe Hipotekës për të marrë një certifikatë dhe nga krahu tjetër ka penguar dhe procesin e konsolidimit të gjithë hartografisë në dispozicion të hipotekave si një nga plagët më të rënda për t’u trajtuar. Se bëhet fjalë për harta që janë fizikisht copë-copë”, shtoi kryeministri.

“Për fat të keq në mandatin e parë ne nuk arritëm dot të impononim ekzekutimin e një vendimmarrje shumë të thjeshtë, që hipoteka të merrte të mirëqena hartat e Aluiznit, sepse ishin harta të krijuara nga puna aktuale në terren dhe përplasja midis hartave ka pasur absurditet dhe kosto të jashtëzakonshme për qytetarët”, shtoi kryeministri.

“Ia dolëm dhe tani kemi një agjenci të vetme. Qytetarët kur të shkojnë për të marrë një legalizim s’do sorollaten. Pra, s’ka dy stacione, por vetëm një stacion. Ky është një hap shumë i rëndësishëm për të mos pasur nevojë për të mbajtur radhë”, shtoi kryeministri Rama.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet