Rama për ''Il Messagero'': duan të pengojnë Reformën në Drejtësi

Çfarë proteste popullore! Këtu nuk jemi përballë jelekverdhëve apo studentëve apo sindikatave apo forcave të tjera shoqërore. Kjo është protestë e organizuar nga një establishment i pesë viteve e gjysmë më parë, që u përzu nga populli me një milion vota, thotë kryeministri Edi Rama, në një intervistë për gazetën italiane ”Il Messagero”. ”Më çudit fakti që media italiane i ka dhënë kaq shumë rëndësi një manifestimi të opozitës, ku dhuna u nxit në mënyrë të paparë. Edi Rama, 54 vjeç, socialist, kryeministër që nga viti 2013, përgatitet për një tjetër ditë të nxehtë. E djathta dhe e majta në opozitë kanë premtuar se do të çojnë në shesh mijëra persona. Të shtunën demonstruesit për pak arritën të hynin në ndërtesën e qeverisë.

”Italianët duhet ta dinë se jemi në prag të zgjedhjeve lokale”, thotë Rama me një italishte perfekte.

”Opozita është shumë mbrapa në sondazhe dhe e di se do të humbasë në të gjitha qytetet. Ajo kërkon që unë të dorëhiqem”.

Por, sheshi do të jetë plot. Çfarë instruksionesh ka dhënë policia?

”Çfarë duhet që të mbledhësh 10-15 mijë persona në një vend të vogël me 4,2 milionë banorë? Unë nuk jap instruksione, nuk jam shefi i policisë apo ministri i Brendshëm, nuk më takon të organizoj, sipas ligjit të mbrojtjes, limitet ligjore të një manifestimi. Të shtunën, policia e shtetit bëri një punë fantastike, nuk pati asnjë të plagosur mes manifestuesve në një vend ku shumë vite më parë, në 2011, katër demonstrues u vranë në rrugë nga dritaret e ndërtesës së qeverisë…”

Pra, i referoheni kohës kur Lulzim Basha, lideri i PD, ishte ministër i Brendshëm?

”Unë nuk flas kurrë në gjuhë të huaj për kundërshtarët e mi, edhe nëse ajo është gjuha e gjyshes sime, e cila kishte origjinë italiane”.

Opozita braktisi parlamentin. Si do të shkohet përpara tani?

”Ma thoni ju, pasi edhe ju keni kaluar një fazë të një opozite të re, të ndryshme, që sot është në qeveri, por kurrë nuk kam dëgjuar të ketë kërcënuar me djegien e mandateve parlamentare”.

Sali Berisha, lideri historik i PD, ju akuzon për mashtrime elektorale…

”Para zgjedhjeve të një viti e gjysmë më parë, edhe pse kishim shumicën, pranuam një kompromis ku opozita mori gjysmën e qeverisë, përfshirë ministrin e Brendshëm, plus 35 000 qendra votimi të ndara përgjysmë mes maxhorancës dhe opozitës. Çka solli rezultate pa asnjë kontestim”.

Opozita flet për 20% të votave të falsifikuara…?

”OSBE legjitimoi plotësisht rezultatin si fryt i zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare dhe kundërshtarët tanë nuk kontestuan asgjë deri në tetor, kur filloi beteja për lidershipin e partisë së tyre. OSBE rekomandoi vetëm që të bënim reformën zgjedhore për të përmirësuar sistemin dhe ne ftuam opozitën që ta shkruante dhe e miratuam. Në vend të kësaj, ajo braktisi parlamentin për gjashtë muaj. Janë ata që thonë se me Edi Ramën nuk kemi shansin të fitojmë. Dhe duan që unë të dorëhiqem për të bërë më pas një qeveri tranzicioni. Njësoj sikur të pyesësh Juventusin se, meqë është kaq i fortë, të pranojë që formacionin t’ia bëjnë të tjerët, jo trajneri i tij dhe të kthehet pas në klasifikim duke filluar nga e para kampionatin… pa Ronaldon!”.

Ju jeni rastësisht juventin?

Po, rastësisht… Qeveritë e tranzicionit krijohen kur ka një problem përfaqësimi, ndërsa ne kemi të vetëm maxhorancën absolute dhe jemi përpara në të gjitha sondazhet. Nuk kemi të bëjmë me një lojë, nuk kemi vetëm të drejtën, por edhe detyrën të përfaqësojmë vullnetin e zgjedhësve. Zgjedhjet e ardhshme do të jenë në 2021”.

Kundërshtarët tuaj ju krahasojnë me Maduron?

”Në ndryshim nga Venezuela, në Shqipëri amerikanët dhe Europa i kanë bërë apel opozitës që të mos bjerë poshtë parimeve të demokracisë. Nëse do të isha si Maduro, do të kisha unë probleme me SHBA dhe BE. Opozita i jep një imazh fals vendit, të ardhmes së Shqipërisë”.

Berisha këmbëngul se ju mund të keni një fund të keq…

”Ai thotë edhe se mënyra e vetme për të më larguar është një plumb ballit, por nuk dua të komentoj. Dhe për më tepër Shqipëria e kohës së Berishës digjej. Ai do vetëm të pengojë reformën në drejtësi. Janë më shumë se 50 magjistratë të korruptuar që i kemi përzënë nga sistemi”.

Ju akuzojnë për përfshirje me narkotrafikun…

”Këto janë deklarata të forta që Shqipëria nuk i meriton, ne kemi trashëguar një problem shumë serioz të kultivimit të kanabisit dhe të trafikut të marijuanës dhe e kemi luftuar. Guardia di Finanza, nën mbikëqyrjen e BE, bën monitorimin nga ajri mbi plantacionet dhe në raportin e fundit konfirmojnë ato që u thashë”.

Probleme me qeverinë italianë?

Asnjëherë. Qeveritë e djathta italiane kanë punuar gjithmonë në mënyrë fantastike me qeveritë e djathta dhe të majta shqiptare. Në Shqipëri, më shumë se 20 mijë italianë bëjnë biznes, punojnë dhe studiojnë. Dhe në Itali ndodhen qindra mijëra shqiptarë”.

Pra, nuk ka asnjë rrezik që degjenerimi i situatës të risjellë një eksod drejt Italisë?

”Në asnjë mënyrë jo! Kjo është vetëm një revoltë e politikës së atyre që janë larguar dhe që ëndërrojnë të pamundurën. Pra, të kthehen në pushtet pa kaluar nga vota”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet