Repart bashkëkohor për RENEA, pas 30 vjetësh kanë më në fund të njëjtat kushte si forcat simotra në Europë

"107-vjetori i Policisë së Shtetit, vjen me finalizimin e projektit të repartit bashkëkohor për forcat policore të elitës, të cilat pas 30 vjetësh do të kenë më në fund të njëjtat kushte si forcat simotra në Europë”. Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në inaugurimin e ambienteve të reja të repartit të ri për forcat speciale “RENEA”. “Në 13 janar 1913, më pak se dy muaj nga themelimi i shtetit shqiptar u formua institucioni i parë i Shqipërisë së pavarur, Policia e Shtetit. ‘Duhet të qërohen të tillë oficerë dhe të mësohet puna e xhandarmërisë dhe e Policisë në duart e ndershme e të stërvitura. Të zgjidhni xhandarë e policë me kujdes të madh, e një rregull të shtërnguar’. Kjo ishte porosia e Ismail Qemalit që është një porosi që nuk ka datë skadence, sepse të qenurit në duar të ndershme dhe të stërvitura është ‘A-ja’ e çdo Policie Shteti dhe e kësaj Policie Shteti”, tha Rama. Kryeministri tha se “i vjen jashtëzakonisht mirë që na jepet mundësia që 107 vjet nga formimi i Policisë së Shtetit t’u themi të gjithë efektivëve të përkushtuar dhe shembullor të RENEA-s se e shlyem një borxh ndaj tyre, duke u vënë në dispozicion më në fund pas 30 vitesh këtë strukturë që i shërben stërvitjes, mirëqenies profesionale dhe morale të tyre.”

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet