Rihapet portali i maturës shtetërore
Pas 15 Shtatorit formulari i dytë i aplikimit

Mundësia e dytë për të gjithë maturantët që nuk mundën dot të plotësonin formularin e aplikimit për në universitet, do të jetë pas 15 shtatorit. Qendra e shërbimeve arsimore do të rihapë portalin Online të maturës shtetërore, për një raund të dytë regjistrimesh, që do të mbyllet në datën 22 shtator. Maturantët e regjistruar do të mund të kryejnë aplikimet në datat e paracaktuara përmes një kalendari sipas qarqeve. Ndërkohë që, pjesë e këtyre regjistrimeve mund të bëhen edhe ata maturantë, të cilët kanë rezultuar kalues në sesionin e dytë të provimeve të maturës. Kjo pasi, të dhënat e tyre do të hidhen deri në datën 10 shtator në sistem, nga të gjitha drejtoritë e institucioneve arsimore, duke mos i përjashtuar nga gara. Sikurse edhe në raundin e parë, aplikimi do të kryhet në cilindo mjedis që ka akses interneti, ndërsa kandidatët do të kenë të drejtë të zgjedhin deri në 10 preferenca. Paraprakisht ata duhet të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën e 2 mijë lekëve. Mandati i pagesës së kryer do të dorëzohet në shkollën ku këta kandidatë kanë kryer plotësimin e Formularit A1/A1Z. Aktualisht, ka përfunduar raundi i parë i regjistrimeve, ndërsa pak ditë më parë Qendra e shërbimeve arsimore publikoi edhe librin e transparencës, përmes të cilit kandidatët për në universitet mund të gjenin të gjithë treguesit e rezultateve të përfundimit të shkollës së mesme, provimeve të Maturës Shtetërore dhe preferencat e përzgjedhura në Formularin e Aplikimit në institucionet e arsimit të lartë për vitin akademik 2017-2018.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet