Riparohen defektet nga moti i keq

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) njofton sot se në disa zona, energjia elektrike është rikthyer, por ende janë jashtë pune 76 fidra, të cilët furnizojnë me energji rreth 85.984

TIRANE - Grupet e punës së avarive të OSHEE-së të shpërndara në gjithë vendin nga dita e djeshme dhe sot, vijojnë punën intensive për riparimin e defekteve të krijuara si pasojë e motit të keq me stuhi shiu e shkarkime elektrike, që nxorrën jashtë pune disa linja të tensionit të lartë e të mesëm. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) njofton sot se në disa zona, energjia elektrike është rikthyer, por ende janë jashtë pune 76 fidra, të cilët furnizojnë me energji rreth 85.984 abonentë. Zonat problematike me furnizimin me energji elektrike janë rajonet Shkodër-Lezhë , Fier-Vlorë, Durrës, Elbasan, Tiranë. Sot, në disa zona në Jug energjia është rikthyer. Kështu në orën 00.38 u vendos në punë linja 30 kV Uji i Ftohtë-Radhimë, ku për pasojë mori energji Radhima, Orikumi, Tragjasi, Dukati. Jashtë pune vijon të jetë ende linja Radhimë-Orikum, ku për pasojë është pa energji zona e Pashalimanit. Vijon të jetë me difekt linja Gjirokastër-Grapsh, ku zonat ende pa energji janë: Dropull i poshtëm, Dropull i sipërm, Zagori, Pogon, Qendër dhe Libohovë. Grupet e punës për eliminimin difekteve janë në terren dhe po punojnë për normalizimin e situatës, thanë burimet e OSHEE-së.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet