Samiti i Vjenës mes krerëve të BE-së dhe Ballkanit, në fokus kriza migratore

Samiti në të cilin janë ftuar të marrin pjesë kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Shefja e Diplomacisë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini është i fokusuar në bashkëpunimin rajonal

VJENË - Zyrtarë të lartë të BE-së do të takohen sot në Samitin e Vjenës me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor megjithëse rendi i ditës është anashkaluar disi për shkak të krizës së emigrantëve në këtë rajon i cili është kthyer në një nga portat kryesore hyrëse drejt Evropës perëndimore.

Megjithëse i njoftuar një vit më parë, ky samit në të cilin janë ftuar të marrin pjesë kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Shefja e Diplomacisë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini është i fokusuar në bashkëpunimin rajonal dhe perspektivat e zgjerimit të bllokut të 28 vendeve të eurozonës.

Por kalimi drejt Ballkanit Perëndimor i ndjekur nga mijëra emigrantë që ëndërrojnë Perëndimin kristalizon tashmë epiqendrën e bisedimeve, ndërsa BE-ja po përballet me krizën më të rëndë të refugjatëve që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Vendet e Ballkanit po përshkohen nga sirianë apo irakianë që i largohen vatrave të luftës por gjithashtu edhe nga shqiptarë, kosovarë apo serbë në kërkim të një jete më të mirë.

Me autobus, në këmbë duke kaluar nën telat me gjemba ose me trena, skenat kaotike po shtohen në Evropën Lindore ku mijëra emigrantë po avancojnë në brendësi të kontinentit.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon u kërkoi dje shteteve, në Evropë e gjetkë të japin shembuj mirëkuptimi dhe të bëjnë më tepër për të kapërcyer krizën e emigrantëve.

Hungaria e cila po përballet me një fluks rekord në kufirin me Serbinë njoftoi për dërgimin përforcues të 2100 forcave policore.

Partia në pushtet propozoi gjithashtu përdorim e ushtrisë për mbrojtjen e vijës kufitare.

Incidente të tjera u shënuan gjithashtu në qendrën kryesore të pritjes së refugjatëve në Roszke ku policia përdori gaz lotsjellës për të penguar rreth 200 persona që kërkonin të largoheshin nga qendra e regjistrimit.

Dy ditë më parë u shënua një numër rekord në kalimin e 2500 persona me kombësi siriane, afgane dhe pakistaneze shumica të ardhur nga Serbia.

Që prej muajit janar, Budapesti regjistroi 100 mijë azilkërkues dhe ndërmori ndërtimin e një gardhi me gjemba përgjatë 175 kilometrave në kufirin me Serbinë, që pritet të përfundojë në 31 gusht.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet