Sistemi parashkollor, 438 mësues më shumë, ulet në 18 numri i fëmijëve për edukatore

Vend të rëndësishëm në buxhetin e vitit 2019 zë reforma e financimit të sistemit të arsimit parashkollor, një funksion ky në përgjegjësi të njësive vendore. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj në këshillin konsultativ mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore, tha sot se në buxhetin e vitit të ardhshëm është parashikuar një rritje prej 9.1 % rritje pagash për edukatoret, ndërkohë që do të përmirësohet edhe sistemi i ndarjes së fondeve përmes bashkive.

“Tashmë, tha ai, fokusi është tek fëmijët, në kuptimin numri i edukatoreve për sa fëmijë, në mënyrë që të rritet vëmendja dhe kujdesi për fëmijët e sistemit parashkollor”, theksoi Ahmetaj.

Financimi për vitin 2019 do bazohet kryesisht në uljen e numrit të fëmijëve në klasa dhe shtimin e edukatoreve në mënyrë që të ketë më pak fëmijë për edukatore. Kriteret për përcaktimin e nevojës për financim do të jetë 40 për qind mbi numrin e fëmijëve dhe 60 për qind, tek kriteri edukatore për numër fëmijësh.

“Nuk do të ketë më asnjë bashki që humbet fonde”, theksoi Ahmetaj, duke vënë në dukje se do punësohen 438 mësues më shumë sesa në vitin 2018, në 32 bashki që kanë nevojë më të madhe për shtimin e edukatoreve matur në raportin fëmijë për edukatore. Këto financime do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e numrit të fëmijëve në grupe nga 26 aktualisht në 18 fëmijë për edukatore, në mënyrë që sistemi të jetë efikas.

“Këto nuk janë thjesht statistika”, vuri në dukje ministri Ahmetaj, pasi në fakt flasim për vëmendje ndaj qytetarit. Ministri vuri në dukje se bëhet fjalë për një ndryshim cilësor, e jo statistikë.

“Kur flasim për madhësinë e klasave, jemi duke folur për vëmendje, përkthim i emocionit pozitiv të kësaj qeverie ndaj një grupi si fëmijët e parashkollorit. Përtej statistikave ka gjithmonë një linjë vëmendjeje që qeveria e ka pasur në vazhdimësi”, theksoi Ahmetaj. /Ata/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet