Sulm frontal ndaj 4 anëtarëve të KQZ-së, një betejë e stisur në emër të demokracisë

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Bledar Skënderi reagoi sot, ndaj atij që e cilëson sulm frontal dhe të paparë ndaj anëtarëve të KQZ-së, pas zhdekretimit që Presidenti i Republikës i bëri dekretit të tij për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe qëndrimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (shumicës së anëtarëve) për vazhdimin e procesit për zgjedhjet vendore të 30 Qeshorit.

“Zyrtarë të lartë të partive opozitare, analistë dhe opinionistë të (pa)varur, anëtarë dhe simpatizantë të këtyre partive, ku të mundin, me çfarë të mundin, me një fjalor denigrues, ofendues, shantazhues janë sulur të gjithë kundër 4 anëtarëve të KQZ”, tha Skënderi.

“Nuk po merrem me ligjin, as me argumentat ligjore apo kushtetues, sepse janë lexuar dhe përmendur aq shumë këto ditë, sa edhe shqiptari më i thjeshtë ka marë disa leksione ligjore”, tha ai, duke dhënë shkurtimisht një përgjigje për “gjithë ushtrinë e anatemuesve”.

“Jam në këtë detyrë, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, konform një procedure ligjore. Jam prind i dy fëmijëve, bashkëshort, bir i dy prindërve për të cilët jam krenar, vëlla i dy qytetarëve të denjë të këtij vendi! Kjo është familja ime e vogël!

Familja ime e madhe është Shqipëria! Ligji është Bibla ime, e unë ushtar i Atdheut! Vendimet e mia dhe të kolegëve janë në çdo rast të ankimueshme! Të gjithë ata që më njohin e dinë shumë mirë se nuk kam përfituar asnjë gjë nga asnjë lloj pushteti! Kudo ku kam qenë kam kryer detyrën time me profesionalizëm dhe përkushtim! Kjo është një betejë e stisur, gjasme në emër të demokracisë, por në të vërtetë është luftë për karrigen e pushtetit!

Dhe për të gjithë ata që duan t’i venë flakën Shqipërisë, për ambicjet e tyre personale për pushtet kam vetëm një përgjigje:

Historia ka për t’ju dënuar!

Unë nuk do të shkruaj asnjë gërmë në ato faqe të errëta!”, tha anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet