Tërheqja e pakove postare do të bëhet në filialet e rretheve

Qytetarët që blejnë mallra në internet ose pranojnë dërgesa nga shtetet e tjera përmes shërbimit postar, nuk janë më të detyruar të paraqiten pranë Doganës dhe as në bankat e nivelit të dytë për të kryer pagesën. Dërgesat postare dhe pagesën e TVSHsë për blerjet online, qytetarët nga 22 gushti kanë mundësi ta bëjnë në filialin e qëndrës tranzite të Postës shqiptare. Edhe qytetarët nga rrethet nuk do të kenë detyrim të paraqiten në postën e Tiranës, pasi veprimet për zhdoganimin, pagesën dhe tërheqjen e pakove, do të kryhen në filialet e postës pranë rretheve. Këto proçedura u bënë dje publike nga posta shqiptare. Tarifa do të jetë 100 lekë, si për blerjen online dhe për dërgesat nga jashtë. Nëse pagesa bëhet në bankë do të variojë nga 150-200 lekë.

Më tej në njoftim thuhej se posta nuk bie dakord me uljen e pragut të pataksueshëm në 22 euro për blerjen online dhe 45 euro për dërgesat nga jashtë. Sipas saj tregtia online duhet inkurajuar, duke rritur pragun e përjashtimeve doganore, si një tendencë botërore që redukton kostot dhe kënaq pritshmëritë e konsumatorit vendas. Gjithashtu tregtia online përbën një fluks të ardhurash të konsiderueshme për postën shqiptare, mbyllet njoftimi.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet