Testohen agjentët BKH/ Shpallen fituesit e parë

424 kandidatë për agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit i janë nënshtruar këtë të mërkurë testimit me shkrim në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Kandidatët ishin të ndarë në dy grupe dhe duhej të siguronin mbi 12 pikë për tu shpallur fitues.

Testimi kishte 30 pyetje, me një pikë secila dhe ka zgjatur afro 60 minuta. Çdo kandidat, kishte një kod specifik tek fleta e testit, ndërkohë që ata u detyruan të dorëzonin në hyrje celularët dhe sendet personale.

Menjëherë pas përfundimit të testimit të 200 kandidatëve, janë shpallur edhe emrat e fituesve. Ajo që bie në sy, është se nga 200 persona në garë, fituan 192 persona.

Procesi i testimit të kandidatëve është ndjekur nga kreu i strukturës së BKH-së, Aida Hajnaj si dhe 3 prokurorët vlerësues, Dritan Premçi,Vladimir Mara dhe Enkeleda Millonai.

Mësohet se nga 424 kandidatë në total, prej tyre 101 janë femra dhe 323 janë meshkuj. Fituesit e këtij testimi do ti nënshtrohen edhe fazave të tjera të kualifikimit si testi fizik dhe më pas provimi i poligrafit.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet