''Ua kam borxh jetën njerëzve që ju keni mbrojtur'', ekspertët izraelitë në Kryegjyshatën Botërore

Për të ekzaminuar selinë e Kryegjyshatës Botërore kanë ardhur nga izraeli profesionistë të inxhinierisë. Megjithë dëmet që ndërtesa kishte pësuar nga tërmeti, ajo është e sigurt. Ndërsa, ekspertët nga Izraeli thanë se populli shqiptar ka ndihmuar popullin hebre në momente të vështira dhe ndaj e kanë detyrë ndihmesën. Baba Mondi nga ana e tij ka falënderuar ekspertët izraelitë, duke thënë se falënderon shtetin izraelit për ndihmën.

“Bektashinjtë gjithmonë kanë qenë gjithmonë pranë njerëzve, dhimbjes njerëzore. Mirënjohje ndaj ndihmës të qeverisë izraelite. Ata kanë dhënë një ndihmë të shkëlqyer për të gjithë shqiptarët. Zoti ju bekoftë për të mirat që bëni për njerëzimin! Ndihmuat shqiptarët në moment të vështirë. Ju falënderoj!”, tha Baba Mondi.

Nga ana e tij, eksperti izraelit u shpreh se “në emër të shtetit të Izraelit, ne japim ndihmë ndaj të gjitha shteteve që kanë nevojë. Ne nuk e harrojmë ndihmën e shqiptarëve për izraelitët, kur ne kishim nevojë. Gjyshja ime ka qenë e prekur nga gjenocidi dhe holokausti. Ua kam borxh jetën njerëzve që ju keni mbrojtur. Ne si fe na bashkon mirësia e Zotit dhe duam të mirën e gjithë njerëzimit”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet