Veliaj 'përmbys' qarkullimin rrugor, mendojmë për nxënësit

Harta e re e qarkullimit. Transport të identifikueshëm, vullnetarë në rrugë. Shkollat do të jenë të hapura dhe jashtë orarit mësimor

TIRANE - Një paketë masash, që Bashkia Tiranë e hedh në tavolinë dhe ndryshon qarkullimin e mjeteve gjatë ditës, për të tuteluar sigurinë e transportit shkollor, thotë kryebashkiaku Veliaj që ua prezantoi sot 24 njësive administrative. Do të kufizohet lëvizja e mjeteve të tonazhit të mesëm dhe të lartë në orare të caktuara në zona të ndryshme të Tiranës gjatë orëve të ditës, ndërsa subjektet tregtare duhet të furnizojnë nga ora 20.00 - 06.00 të mëngjesit. Urdhri tjetër është për sigurinë e transportit të nxënësve. Mjetet duhet të kenë sinjalistikë afër shkollave. Në rrugë do të vendosen sinjale rrugore, autobusë shkollorë në të gjitha rrugët e qytetit, buzë trotuareve, në afërsi të shkollave, që të dihet se ku është vendi ku lihen fëmijët. Transporti do të jetë i kontrolluar dhe i liçensuar. Mjetet do të kenë të stampuar sinjalin “transport shkollor” dhe duhet të lyhen me ngjyrë portokalli. “Çdo mjet shkollor, i cili pasi çertifikohet nga Bashkia për transport shkollor të fëmijëve, mund të përdorë korsitë e dedikuara për autobusët dhe urbanin qytetas, si mënyrë për të ecur më shpejt dhe për të kapur në kohë orët e mësimit”, shtoi kryetari i Bashkisë së Tiranës. Çdo shkollë do të ketë vullnetarë, me uniformë, për të kapur për dore nxënësit të kalojnë rrugët afër shkollave. Në fund dhe një tjetër thirrje për restaurim, për nisjen e sezonit të ri shkollor. Shkollat do të lihen të hapura dhe jashtë orarit për të funksionuar si qendër - komunitare.

Plani i lëvizjes së automjeteve në qytetin e Tiranës:

Kufizim 24 orë i mjeteve në brendësi të unazës së vogël përveç veturave, urgjencave, zjarrfikësit dhe autobuzëve urban

Nga ora 06.00 – 09.00 dhe 16.00 – 20.00 ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve të transportit të mallrave

Nga 6.00 – 20.00 ndalohet qarkullimi i mjeteve me ngarkesë të përgjithshme mbi 3.5 ton (në Unazën e mesme të qytetit, në brendësi të saj, si dhe në rrugët Sulejman Delvina, Abdyl Frashëri, Ismail Qemali, Elbasanit dhe Blv Bajram Curri).

Nga ora 6.00 – 20.00 ndalohet qarkullimi i mjeteve me ngarkesë të përgjithshme mbi 18 ton (në brendësi të unazës së madhe të qytetit, si dhe në akset kryesore hyrëse në të)

Nga ora 6.00 – 20.00 ndalohet qarkullimi i mjeteve me ngarkesë të përgjithshme deri në 25 ton (në akset kryesore hyrëse në qytet)

Nga ora 20.00 - 06.00 subjektet tregtare mund të kryejnë veprimtarinë e tyre furnizuese

Masat për transportin e nxënësve me autobusë shkollor:

1. Të vendoset sinjali rrugor “AUTOBUS SHKOLLOR”, në të gjitha rrugët e qytetit, buzë trotuareve në afërsi të shkollave.

2. Autobusët që trasportojnë nxënësit në shkollë identifikohen me simbolin sinjalistik përkatës, i vendosur në katër anët e autobusit, përpara anash dhe pas.

3. Simbolet sinjalistike dhe logoja, të jenë mbi mjetin e lyer tërësisht, me ngjyrë të verdhë në portokalli.

4. Lyerja e mjeteve dhe vendosja e shenjave dalluese, të bëhen brenda 30-ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Urdhëri.

5. Çdo mjet shkollor lejohet të përdorë korsitë e dedikuara për Autobusët Urban Qytetës.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

1 Komentet

  1. ia ke fut kot plako  e Premte 11 Shtator, 2015

    po ne qe do shkojme ne pune a ka mendu veliaj do na bleje helikoptere ?