Veliaj: Blini gjelat ''firmato'' të Baldushkut, ndihmoni ekonominë vendase

Zona e Baldushkut të Tiranës tashmë njihet për rritjen e gjelave të detit. Për këtë arsye bashkia e Tiranës për tre vite me radhë ka ndihmuar për tregtimin e tyre. Meqë festat u afruan dhe nuk kanë kuptim pa gjelin e detit në tryezë, kryetari i bashkisë Erion Veliaj, i ftoi të gjithë qytetarët të mos blenë në rrugë kur kanë gjelat ‘firmato’ të Baldushkut.

“E kemi kthyer në traditë për tre vite me radhë, që gjeli i detit të Baldushkut është i pazëvendësueshëm në tavolinën e çdo qytetari të Tiranës. Ashtu siç ka rroba firmato dhe makina me logo të shtrenjta, gjeli ‘firmato’ i Shqipërisë është gjeli i Baldushkut. I ftoj të gjithë qytetarët të mos blejnë në rrugë, janë mall që blihet në pulari dhe shitet sikur është mall fshati. Tregu i vërtetë, origjinal, i certifikuar nga veterinarët tanë, me fermerin që e ka rritur vetë, është këtu në Baldushk. Të gjithë në Tiranë t’i ofrojnë familjes së tyre shëndet, mall cilësor, një festë të gëzuar”.

Veliaj theksoi gjithashtu se në këtë mënyrë rritet edhe ekonomia e vendit. Duke blerë gjela në Baldushk secili ka dhënë një kontribut për një familje që merret me këtë punë.

“Vetëm vitin e shkuar, në Tiranë u shitën rreth 28 mijë gjela deti, duke gjeneruar rreth 1.4 milionë dollarë. Nuk ka kuptim një tavolinë e festave nëse nuk ndihmojmë ekonominë lokale. Jo vetëm shija është më e mirë, jo vetëm çmimi është më i lirë, por ndihmojmë ekonominë vendase. Më mirë t’i mbajmë këto para, sepse kur dikush blen gjel nga Baldushku, nuk ka siguruar vetëm darkën e Vitit të Ri, por ka paguar që një fëmijë të shkojë në shkollë, të vishet, t’i blihen librat, dhe që një familje të jetojë me dinjitet këtu në fshat, pa u dyndur të gjithë në Tiranë”

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet