Vera, zjarret: rrezikohet pusi i naftës 365 në Patos

Stina e verës po kalon jo pa probleme, në situatën e vatrave të zjarrit. Emergjencat civile numërojnë dhjetë vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit që sollën dëme të konsiderueshme materiale. Përsëritet thirrja ndaj qytetarëve për të njoftuar në kohë çdo vatër zjarri, kudo. Numrat e emergjencave për çdo situatë janë 112, 129, (0)6941 10 198.

Në qarkun Shkodër ka patur një vatër zjarri në Velipojë (plazh), po pa dëme të mëdha. Tjetër vatër zjarri numërohet dhe në Malësinë e madhe. Në Berat është konstatuar një vatër në fshatin Malas Breg. Një sipërfaqe me rreth 28 ha me shkurre e ferra, e qindra rrënjë ullinj të rinj u dogjën.

Në fshatin Radësh (Skrapar), ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, ku u dogj 15 ha shkurre. Në fshatin Vokopolë (Poliçan), janë djagur 2 ha shkurre e ferra.

Në fshatin Bishqem Fushë (Peqin), ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullishte. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 3 dynyn me shkurre, ferra dhe 3 rrënjë ullinj shekullore.

Në fshatin Hajdaraj (Elbasan) u dogjën 1 dynym me shkurre dhe 30 rrënjë ullinj. Në fshatin Zvërnec (Vlorë) u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre dhe pisha. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar.

Në fshatin Zharrës (Patos), ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe në një gropë pusi nafte, ku rrezikohej direkt pusi i naftës 365. Shërbimi vendor i MZSH Patos dërgoi 1 mjet dhe 9 efektivë, së bashku me një mjet zjarrfikës të kompanisë së naftës Albpetrol dhe 6 efektivë. Pas një operacioni që zgjati rreth 2 orë forcat zjarrfikëse arritën që të shuanin zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 3 dynym me shkurre dhe ferra. U shpëtua pusi i naftës nr. 365. Nuk pati të lënduar.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet