Vjosa rrezik i madh për banorët, dalja e lumit nga shtrati çështje 4-5 orësh

Furnizimi me ujë i lumit Vjosa si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut ka sjellë alarmin për orët në vazhdim. Situata e reshjeve ka vijuar të rëndohet sidomos në jug të vendit. Autoritetet shtetërore kanë vijuar përforcimin kapaciteteve njerëzore dhe teknike në zonat më të rrezikuara, kryesisht në pjesën e poshtme të pellgut të lumit Vjosë, qarqet Fier dhe Vlorë. Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave u bën thirrje qytetarëve të zonave që preken nga daljet nga shtrati të lumit Vjosë të përgatiten për evakuim duke bashkëpunuar pa vonesa dhe pa hezitime me organet kompetente shtetërore. Pritshmëria e prurjeve në lumin Vjosë e bën daljen e tij nga shtrati çështje të pothuajse 4 deri 5 orëve.

Ndërkohë ministrja e mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka monitoruar në terren situatën dhe i ka bërë thirrje të gjithë banorëve në zonat e prekura nga reshjet, të gjithë atyre që banojnë shumë pranë shtretërve të lumenjve, në afërsi të digave apo në zona që, historikisht rrezikojnë përmbytje të largohen menjëherë nga banesat dhe të bashkëpunojnë me Forcat e Armatosura dhe strukturat e emergjencës për tu evakuar. Po merren masa për menaxhimin e situatës në basenet e lumenjve Vjosë, Shkumbin dhe Seman ku priten edhe prurje të shtuara dhe përkeqëim i situatës gjatë ditës së sotme. Në disa segmente të këtyre lumenjve po merren masa për të organizuar evakuim të banorëve të rrezikuar.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet