Tortë me fruta

nga Brunhilda ÇELA

Receta që po ju propozoj është një tortë shumë e thjeshtë, e shpejtë dhe e bukur. Këtë herë e kam bërë me pandispanjë të gatshme, por mund t'a përgatisni dhe vetë ju pandispanjën. Ndonjëherë për shpejtësi të zgjidh punë (supermarketi), por nuk krahasohet me pandispanjën që bëhet vetë. Zgjidheni vetë se çdo bëni.

Përbërësit: 1 pandispanjë të gatshme me kakao e cila është e ndarë në tre pjesë (ose e bëni vetë). Për të aromatizuar dhe zbutur fletat e pandispanjes duhen 100 gr sheqer, 3 lugë gjelle liker, pjeshkë ose kajsi.

Për kremin: 800 gr gjysma pjeshka komposto (duhen 2 kuti komposto rreth 850 gr secila me gjithë lëngun).

- 450 gr kos

- 140 gr sheqer

- 150 gr pure manaferrash (pra manaferra të grira)

- 15 g gelatinë pluhur ose 8 fleta xhelatinë

- 400r ml krem pana(ajkë qumështi)

- 4 lugë gjelle marmaladë manaferrash

- 100 gr manaferra

- 1 pako pluhur për të krijuar zhelenë sipër tortës

- 250 ml lëng manaferrash përzier me ujë që mos të dalë shumë i errët pasi i humbet bukuria tortës

- 100 gr çokollatë të grirë

Përgatitja: Në fillim përziejmë sheqerin me likerin dhe me një furçe guzhine lyejmë të treja fletët e pandispanjës. Zbusim xhelatinën në ujë të vakët. Rrahim kosin me sheqerin dhe i përziejmë me purëne e manaferrave. Shtojme aty xhelatinën e tretur plotësisht. Xhelatinën e tresim në një tenxhere të vogel më pak nga uji që zbutëm dhe kur është tretur hedhim pak nga masa e kosit që të ftohet përpara se ta hedhim të gjithën, kështu nuk krijohen kokrra në krem.

Masen e vëme në frigorifer të ftohet pak dhe sapo fillon e trashet kremi, e përziejmë me 300 gr krem pana të rrahur pasi 100 gr e tjerë na duhen për zbukurimin jashtë. Shtrojmë fletën e parë të pandispanjës si në foto. Vendosim pjeshkët bukur përmbys mbi të gjithë sipërfaqen. Hedhim më shumë se gjysmën e kremit. Shtojmë dhe një fletë pandispanjë dhe përsëri kremin e mbetur mbi të. E mbyllim me pandispanjën dhe e lyejmë me reçelin e manaferrave. Lyejmë anët me krem pana të rrahur, pra me atë që na ngel (100 gr). Vendosim frutat bukur si në foto.

Tani do bëjmë lëngun që krijon zhelenë lart që i jep tortës shkëlqim dhe bukuri. Bën dhe izolimin e frutave që mos të prishen. Kjo bëhet në bazë të udhëzimit të pakos në përgjithësi 1 pako kërkon 250 ml lëng të cilin e vë në zjarr të marrë valë dhe e heq. E përzien herë pas here me lugë dhe në gjëndje të ngrohtë e hedh ipër tortës. Kjo me kujdes pasi ngrin shumë shpejt. Nëse ju ngrin nuk ka problem vëreni përsëri në zjarr dhe shkrin. Tortën e vendosim në frigorifer përpara se ta servirim të paktën 1 orë do ishte më mirë pasi dhe shije merr më shumë duke ndenjur pak. Këtë tortë mund ta bëni dhe me pandispanjë të bardhë dhe me fruta të tjera, sipas shijes dhe fantazisë. Rëndesi ka të ruani masat e dhëna dhe radhën e punës.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet