Ambasada e BEsë reagon për studentët: të zgjedhin përfaqësi dhe të dialogojë me qeverinë

Kryetarja e komisionit për politikën e jashtme bisedoi më Ambasadorin e BEsë në Tiranë Luigi Soreca për kërkesat e studentëve. Situata ka ngelur tek mungesa e dialogut dhe ndërkohë në protestat e studentëve dëgjohen dhe fjalime politike.

“Çështjet e edukimit nuk janë kompetencë e BEsë, për këtë arsye ne pritëm disi gjatë për të reaguar. Jemi të mendimit se nga njëra anë të gjithë janë në mbështetje të studentëve dhe nga ana tjetër, qeveria është e gatshme për të bashkëbiseduar. Në këto kushte nevojitet që studentët të zgjedhin një përfaqësi e cila mund të dialogojë. Ne jemi impresionuar nga zhvillimi i qytetëruar, jo i dhunshëm dhe i painstrumentalizuar i protestës. Sfida e tyre tashmë është që të organizohen që të mund të marrin edhe mbështetjen e forcave të tjera të shoqërisë civile kombëtare dhe europiane, sikurse është shoqata e Studentëve Europianë e cila është solidarizuar me studentët shqiptarë”, – tha ai.

Protesta duket se ka marrë gjithë vëmendjen e shoqërisë, por nga ana tjetër një sy më shumë duhet dhe në përmbushjen e kërkesa për hapjen e negociatave me BEnë.

“Ne të gjithë jemi të interesuar për një zgjidhje të kësaj çështje, por ndërkohë është e domosdoshme të mos largohet për asnjë çast vëmendja nga përmbushja e detyrave që duhen kryer për hapjen e negociatave me BE-në. Interesi dhe përpjekjet tona të përbashkëta duhet të bëjnë të mundur që Shqipëria të paraqitet sa më mirë në takimin historik të radhës, i cili është vendimtar jo vetëm për të ardhmen e Shqipërisë në BE, por edhe për rolin dhe vendin e saj gjeostrategjik në rajon. Vendimi i qershorit është treni që nuk duhet humbur sepse nuk dihet nëse dhe kur do të kalojë përsëri. Kjo është një përgjegjësi e përbashkët për të gjithë spektrin politik shqiptar”, u shpreh shefi i Delegacionit Europian në Shqipëri.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet