Europarlamentarët në Tiranë, deklarata, ''dënojmë me forcë retorikën politike që nxit dhunën''

Një delegacion prej 7 eurodeputetësh të Parlamentit Europian, do të vizitojnë sot Shqipërinë, ku do të vlerësojnë aspiratat e pranimit në BE të Shqipërisë. Zyra e shtypit pranë BE theksuan se delegacioni i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian do të mbërrijë sot në drekë në Tiranë për t’u takuar me lidershipin politik, përfaqësuesit e opozitës dhe shoqërinë civile nga 27 shkurti deri më 1 mars”. Ndërsa ditën e nesërme në përfundim të takimeve, delegacioni i eurodeputetëve do të mbajë një konferencë për shtyp në orën 10:15. Në përbërje të delegacionit do të jetë edhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, i cili shprehet se do të jetë këtë javë në Tiranë dhe Shkup me një delegacion të punëve të jashtme nga data 27.02-01.03, për të bërë një vlerësim të reformave në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut dhe për të diskutuar zhvillimet më të fundit. Gjithashtu, bëhet e ditur se “delegacioni i përbërë nga shtatë anëtarë të parlamentit kryesohet nga Tunne Kelam. “Vizita e ardhshme do të përqendrohet në çështjet e theksuara në rezolutat e PE mbi Ballkanin Perëndimor të miratuara në nëntor 2018, së bashku me zhvillimet aktuale në Shqipëri dhe zbatimin e Marrëveshjes së Prespës në Maqedoninë e Veriut. Anëtarët gjithashtu do të vizitojnë një projekt të financuar nga BE për të parë se si funksionojnë në praktikë financimet e veprave përpara anëtarësimit”, thuhet në deklaratën e PE-së. Duke komentuar dorëzimin e mandateve nga Parlamenti të deputetëve të opozitës dhe protestat në Shqipëri, ai shtoi: “Ne dënojmë me forcë të gjithë retorikën politike që nxit dhunën dhe i bëjmë thirrje opozitës që të rifutet në procesin demokratik parlamentar. Qeveria dhe opozita duhet urgjentisht të qetësojnë situatën përmes angazhimit konstruktiv”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet