Emmanuel Macron

Franca bën të ditura propozimet e saj për BEnë, largon anëtarësimet

Ashtu siç paralajmëroi edhe në Samitin e Liderave të BE-së, presidenti francez Macron ka marrë iniciativën më të fundit për të vënë në jetë, atë që ai e ka quajtur reformim të procesit të zgjerimit me shtetet kandidate për në BE.

Në një letër zyrtare dërguar Këshillit Europian, Franca shpreh mbështetjen e palëkundshme për shtetet e Ballkanit, duke e cilësuar BEnë si të vetmen rrugë në të cilën të gjitha këto vende duhet të bashkohen.

Sipas propozimit, ky proces reformimi për zgjerimin do të sjellë në fund një Europë më sovrane dhe të bashkuar.

“Në 20 vite pas njohjes së perspektivës europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pavarësisht reformave të ndërmarra dhe akteve kurajoze të bashkimit si marrëveshja e Prespës, transformimi i vërtetë politik, ekonomik dhe social që kërkohet për hyrjen në BE vazhdon të jetë i ngadaltë dhe përfitimet konkrete për qytetarët në shtetet kandidate mbeten të pamjaftueshme.”

Për këtë arsye një qasje e re, në lidhje me hapjen e negociatave është e domosdoshme, sipas propozimit francez, për të mundësuar sundimin e plotë të ligjit dhe në përgjithësi për të zbatuar kuorumin evropian.

Janë katër kushte të reja, të cilat sipas propozimit duhet t’i shtohen procesit të zgjerimit në reformimin e saj:

-Përafrimi gradual, ku tashmë procesi nuk do të zhvillohet më mbi kapituj, por mbi disa faza që shteti duhet t’i kalojë sipas radhës.

-Kushtet e rrepta, të cilat do të vendosen për çdo fazë për shtetet kandidate. Indikatorët do të merren nga të gjitha institucionet europiane në fushat përkatëse dhe kryesore paraqitet situata në fushën e drejtësisë.

-Përfitime të prekshme, ku theksohet domosdoshmëria se përveç përfitimeve që vijnë nga pjesëmarrja graduale në politikat e BE-së, rritja e mbështetjes financiare do të shtohet edhe më tej për të shmangur influencat e huaja.

-Mundësi e kthimit të procesit, ku theksohet se një parim i kthyeshmerisë duhet të vendoset për të adresuar situatat me të cilat vendi kandidat, tërësisht ose pjesërisht, nuk plotëson më kritere të caktuara ose pushon së përmbushuri zotimet që ka ndërmarrë.

Pala franceze kërkon nga Komisioni dhe Këshilli Europian, që paketa e re e zgjerimit të miratohet përpara Janarit të 2020-ës. Kjo procedurë e re do të aplikohet edhe për dy vendet që tashmë i kanë hapur negociatat për në BE siç është Mali i Zi dhe Serbia. /scantv/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

1 Komentet

  1. Qazo golemit  e Shtunë 16 Nëntor, 2019

    Ky esht nje filoRus dhe kërkon të hapë frymën ruse në europë.