Hahn: I qëndroj rekomandimit të KE, Shqipëria i meriton negociatat

Komisioneri për zgjerimin i BE-së, Johannes Hahn ka ftuar edhe njëherë organet vendimmarrëse europiane që t’i japin dritën jeshile negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në muajin tetor.

Sipas tij, rajoni i Ballkanit ka të njëjtat mundësi dhe sfida në të ardhmen dhe patjetër është pjesë e Europës.

Ballkani Perëndimor është pjesë e pamohueshme e Europës, e cila duhet integruar sa më shpejt. Këtë mesazh ndau n Komisioneri Europian për Zgjerimin, Johannes Hahn, në nisje të Samitit për Rajonin që mbahet më 4 dhe 5 korrik në Poznan të Polonisë.

Zyrtari në largim i Bashkimit Europian ftoi homologët e tij të mos hezitojnë ta afrojnë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në BE, pasi do të dëmtohej kredibiliteti i unionit.

“Unë i qëndroj rekomandimit të Komisionit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe kam besim që në tetor, Këshilli do të ndjekë vlerësimin tonë pozitiv. Të dyja vendet kanë përmbushur reformat, veçanërisht në fushat e përmendura në qershor 2018”, u shpreh Hahn.

Megjithatë, Hahn apeloi liderët e Ballkanit që të forcojnë institucionet demokratike, marrëdhëniet fqinjësore dhe të bashkëpunojnë më ngushtë nëse aspirojnë familjen europiane.

Me këtë rast ai përmendi edhe barrierat tregtare që Kosova ka vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës, duke i ftuar palët të zgjidhin mosmarrëveshjet sa më parë.

Në nismën diplomatike që organizohet këto dy ditë në kuadër të Procesit të Berlinit të iniciuar pesë vite më parë, do të marrin pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kancelarja gjermane, Angela Merkel, si edhe të gjithë shtetarët e vendeve kandidate të Ballkanit.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet