Hahn: Shqipëria mund të shpresojë në hapjen e negociatave

Komisioneri europian për politikën e fqinjësisë europiane dhe negociatat e zgjerimit, Johannes Hahn, tha për gazetën gjermane "Handelsblatt" se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mund të shpresojnë për hapjen e negociatave të pranimit në BE pas zgjedhjeve europiane. Komisioni i BEsë do të paraqesë raporte mbi ecurinë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut menjëherë pas zgjedhjeve europiane (23-26 maj).

Hahn beson se “përparimi i rëndësishëm është bërë nga të dy vendet”, siç është reforma në drejtësi e kryer nga Tirana dhe marrëveshja historike midis Shkupit dhe Athinës.“Për Maqedoninë Veriore një refuzim ose shtyrja e hapjes së negociatave do të ishte veçanërisht e rrezikshme“, theksoi Hahn në intervistën për gazetën gjermane “Handelsblatt”, duke paralajmëruar se nëse Shkupi zhgënjehet përsëri, “ekziston rreziku i një destabilizimi të brendshëm me pasoja për të gjithë rajonin“.

Shtetet e BEsë tashmë kishin miratuar në parim hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut qershorin e kaluar. Megjithatë bisedimet u shtynë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet