''Hapi i madh drejt BE-së është bërë''/ Ambasadori bullgar: Palët politike të vijojnë dialogun

“Palët duhet të vijojnë dialogun politik, pasi duhet bashkëpunim për proceset integruese të vendit dhe Shqipëria është në rrugën e duhur dhe hapi i madh drejt Bashkimit Europian është bërë”, deklaroi sot nga Pogradeci ambasadori bullgar në Shqipëri, Momtchil Raytchevski.

Gjatë kësaj vizite, ambasadori Raytchevski dorëzoi një sasi pakosh ushqimore dhe produktesh sanitare për familjet në nevojë të bashkive Pogradec, Pustec dhe Librazhd.

“Për sa i përket integrimit të Shqipërisë në BE, rendi i ditës është i qartë, rruga po ashtu. Shqipëria është në rrugën e negociatave dhe kjo që ka ndodhur deri më sot kërkon punë. Rruga është e qartë dhe tani po shkohet te çështjet teknike, të cilat do të zgjidhen sikurse i ka zgjidhur Bullgaria e Kroacia. Hapi i madh drejt BE është bërë dhe tani po shkohet drejt rezultateve konkrete”, tha Raytchevski.

Lidhur me ndryshimet kushtetuese, ai u shpreh se nuk duhet nxjerrë konkluzion, çdo shtet duhet të ketë dialog të brendshëm.

“Ne po flasim për procese politike që po zhvillohen. Le të mos bëjmë konkluzione. Çdo shtet duhet të ketë një dialog të brendshëm. Ne shohim që dialogu po funksionon dhe pjesë e këtij dialogu ishte edhe marrëveshja e 5 qershorit. Unë besoj që partitë politike në Shqipëri në fund do të arrijnë një vendim që do jetë në dobi të popullit shqiptar”, tha Raytchevski.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet