Hapja e negociatave, Cakaj: Mundësi shtesë për të realizuar ndryshimet radikale që aspirojmë

“Hapja e negociatave për anëtarësim, nëse do të bëhet realitet në qershor, nuk do të jetë asesi kurorëzim i ndryshimeve që duam, por do të jetë një mundësi shtesë për të realizuar ndryshimet radikale që ne i aspirojmë. Për ta bërë Shqipërinë shoqërisht më të drejtë, demokratisht më të fuqishme dhe institucionalisht më funksionale”. “Hapja e javës së Europës në Shqipëri nuk do të thotë edhe fillimi javës së Shqipërisë europiane. Në fakt Shqipëria ka qenë europiane para kësaj jave, që në krye të herës dhe pas kësaj jave europiane do të jetë patjetër. Sepse karakteri europian i saj nuk përcaktohet prej organizimeve kalendarike, por nga përvoja e saj historike, përmbajtja e patjetërsueshme kulturore dhe ambicia e saj madhore politike. Pavarësisht çdo çarje që ka shfaqur koha apo largimi që ka imponuar historia shkruan Kadare diku mes të tjerash, Europa është gjendja e natyrshme e shqiptarëve. Dhe në fakt e vetmja gjendje e tyre”, – tha Cakaj. Ministri theksoi se, “Java e Europës është më pak festë se sa obligime dhe angazhime institucionale. Kjo javë është vetëdijesim. Kjo javë do të përfshijë një gamë të gjerë aktivitetesh”.

“Gjithë kjo gamë aktivitetesh është shërbyes i një fakti elementar, se angazhimi ynë për Europën është pjesë e pashkëputshme e kulturës tonë ditore. Ndryshe prej rasteve të tjera kjo javë i përket një muaji të veçantë, kur ne presim marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian nga Komisioni Europian. Gjithashtu ne presim që raporti i Komisionit që do të publikohet në fund të këtij muaji do të jetë dëshmi e patjetërsueshme e qëndrimit pozitiv, e përparimit përmbajtësor që vendi ynë ka bërë në rrugën e pakthyeshme drejt integrimit europian”, tha Cakaj.

“Procesi i negocimit të anëtarësimin në BE, për Shqipërinë në një mënyrë apo tjetër është më i rëndësishëm sesa vet akti i anëtarësimit. Ngaqë ky proces ofron një shtysë për ndryshime strukturore, dhe mundëson një reformë gjithëpërfshirëse. Procesi i negocimit në shërbim të anëtarësimit drejt BE, mundëson në një formë apo tjetër edhe realizimin e plotë institucional të Shqipërisë”, – u shpreh ai.

Shqipëria është një prej vendeve më të reja në Europë sa i përket moshës, por vitaliteti i shoqërisë shqiptare nuk qëndron tek mosha e saj sesa tek cilësia e ideve të tyre, u shpreh Cakaj, duke shtuar se, “ne jemi një shoqëri që në masë më të madhe se 90% e mbështesim procesin e integrimit europian, pa asnjë dilemë politike dhe pa asnjë ekuivok në qëndrimet tona. Mentaliteti ynë nuk konsiston thjesht tek studimet e ndryshme demografike por tek mentaliteti ynë politik që patjetërsueshëm është mentalitet europian”.

“Mbështetja mbi 90% e procesit të integrimit europian është mbështetje më e madhe se shuma që të gjitha partitë politike kanë së bashku dhe secila prej tyre në veçanti. Prandaj procesi i integrimit europian për ne, nuk është çështje e një stacioni momental politik, as e zgjedhjeve të caktuara ideologjike. Në fakt është çështje e një detyrimi kombëtar që kërkon angazhimin e të gjithë neve për të qëndruar në lartësinë e tij. Nëse nga pikëvështrimi i BE, marrëdhënia me Shqipërinë është një çështje zgjerimi institucional, nga perspektiva e Shqipërisë është gjetje e unitetit të nevojshëm politik”, – nënvizoi Cakaj.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet