Hapja e negociatave për Shqipërinë/ Matusic: Shpresoj që të rregullohet vendimi i gabuar

“Zgjerimi do të jetë një nga pikat kryesore të Samitit që do të zhvillohet në Zagreb në muajin maj, ku shpresojmë që të dalin perspektiva dhe këndvështrime të reja për ato vende që nuk janë ende anëtare të BE-së. Shpresoj se ky vendim i gabuar që është marrë në takimin e fundit të Këshillit të BE-së ku Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk hapën negociatat me Bashkimin Europian, të rregullohet në takimin e Zagrebit në maj”.

Kështu deklaroi sot Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Turizmit në Kroaci, Frano Matusic, gjatë samitit ndërkombëtar me temë “Turizëm, Solidaritet dhe Qëndrueshmëri”, që u organizua sot në Tiranë.

“Shpresojmë që kryeministri të marrë pjesë në samitin e madh që do të organizohet në Zagreb në muajin maj, është deklaruar nga kryeministri ynë, dhe ka një qëllim shumë të rëndësishëm për të gjitha vendet e rajonit, përfshirë këtu edhe Shqipërinë për shkak të zgjerimit. Kjo do të jetë një nga pikat kryesore të takimit. Shpresojmë që këtu të dalin perspektiva dhe këndvështrime të reja për ato vende që nuk janë ende anëtare të BE-së. Shpresoj se ky vendim i gabuar që është marrë në takimin e fundit të Këshillit të BE-së, ku Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk hapën negociatat me BE-në, shpresoj që ky gabim të rregullohet në takimin e Zagrebit në maj”, tha ai.

Duke folur për tërmetin që goditi Shqipërinë në nëntor 2019, Matusic tha se ai u ndje në Bosnje Hercegovinë, Malin e Zi dhe në pjesën jugore të Kroacisë.

“Janë zona sizmike të prekshme nga tërmetet. Ne erdhëm menjëherë në ndihmë të Shqipërisë se këto katastrofa nuk njohin kufij politik, por duhet t’i vijmë në ndihmë njerëzve kudo që janë në botë. Menjëherë dërguam ekipet tona të shpëtimit me qenë që fatmirësisht ndihmuan të shpëtojnë disa jetë njerëzish në Shqipëri. Reagimi i shumë vendeve dhe vullnetarëve në rajon dhe BE që ofroi ndihmë financiare dhe jofinanciare tregon se solidariteti në Europë është shumë i rëndësishëm”, tha ai.

Matusic theksoi se “Kroacia mbetet e gatshme për të shkëmbyer çdo lloj nevoje apo asistence në mbështetje të Shqipërisë”. /ata/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet