KE: Shqipëria të forcojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

“Është thelbësore që të gjithë liderët politikë të vazhdojnë të respektojnë aspiratat e pranimit në BE të shqiptarëve”.

Komisioni Europian në përgjigje të interesimit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare për rrugën që duhet të ndjekë Shqipëria deri në konferencën e parë ndër qeveritare Shqipëri-BE për negociatat për anëtarësim thekson se, “Konkluzionet e Këshillit në mars treguan qartë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria përpara konferencës së parë ndërqeveritare. Kjo ka të bëjë me miratimin e reformës zgjedhore, me sigurimin e financimeve transparente të partive politike dhe të fushatave elektorale dhe me sigurimin e zbatimit të vazhdueshëm të reformës në sistemin gjyqësor”.

“Shqipëria gjithashtu duhet të forcojë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto nuk janë 15 kushte. Trajtimi i fenomenit të aplikimeve të pabazuara për azil dhe sigurimi i riatdhesimeve dhe ndryshimi i ligjit të mediave në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias ishin gjithashtu përparësi të rëndësishme”, thekson KE për ATSH.

Për më tepër, vijon KE, “konkluzionet e Këshillit parashikojnë që korniza e negociatave do të pasqyrojë një numër çështjesh që Shqipëria do të duhet të vazhdojë t’i adresojë në periudhën vijuese edhe si pjesë e procesit të negociatave”.

“Puna tashmë është duke vazhduar në këto fusha”, shton Komisioni Europian, i cili nënvizon se, “miratimi i reformës zgjedhore është një kusht që Shqipëria do të duhet ta përmbushë përpara Konferencës së parë Ndërqeveritare. Bashkimi Europian ka mirëpritur marrëveshjen politike midis partive politike për reformën zgjedhore dhe ne shpresojmë që ajo të miratohet në parlament, pasi do t’i japë Shqipërisë një proces zgjedhor me integritet dhe standarde më të larta transparence, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR”.

“Shumica dërrmuese e shqiptarëve e mbështesin perspektivën në BE të vendit të tyre. Është thelbësore që të gjithë liderët politikë të vazhdojnë të respektojnë aspiratat e pranimit në BE të shqiptarëve. Për të ecur përpara në rrugën e pranimit në BE nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç një dialogu ndërpartiak dhe zgjidhje me bazë të gjerë, siç u gjetën në të kaluarën për sundimin e ligjit dhe vetingun, që ne po i shohim të vihen në zbatim”, thekson KE për ATSH.

“Komisioni do të vazhdojë të monitorojë progresin dhe rezultatet e arritura në të gjitha fushat përkatëse dhe do t’u kthehet atyre në raportin vjetor për zgjerimit, i cili do të publikohet në vjeshtë”, përfundon KE. /a.g/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet