Komisioni Europian rekomandon çeljen e negociatave me Shqipërinë

Komisioneri Europian për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, duke lexuar progres raportin për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, deklaroi sot se “Komisioni Europian rekomandon çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Sipas Komisionerit Hahn, progresi i Shqipërisë dhe i Maqedonisë së Veriut në përmbushjen e kritereve të paracaktuara është mbresëlënës. Sipas tij, kusht i vetëm mbetet vijueshmëria e reformave.

“Shumë vende kanë arritur kriteret që kemi vendosur dhe në veçanti Ballkani Perëndimor. Angazhimi ynë ka dhënë rezultate konkrete. Kemi dhe arritje historike, kemi shumë sfida që mbeten ende të hapura dhe paketa e sotme tregon se duhet ecur mbi këto udhëzime”, tha Hahn.

Ai deklaroi se Shqipëria ka bërë progres me Reformën në Drejtësi dhe procesin e patjetërsueshme të vetingut. “Ky është një shembull edhe për vendet e tjera”, deklaroi Hahn.

“Në nivelin strategjik duhet t’i japim merita vendeve për atë që kanë arritur ashtu sikurse duhet theksuar se sigurisht që vendet, respektivisht do të duhet të japin rezultate”, vijoi Hahn.

“Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me lejoni t’ju them se të dyja vendet kanë ecur pozitivisht me rekomandimet, sigurisht duhet të ecet më tej me çështjet problematike. Duhet të ketë rezultate më të qëndrueshme për sundimin e ligjit, për stabilitetin në rajon”, tha ai.

“Të dyja vendet kanë dhënë rezultate mbi reformat dhe ato pika që i kemi caktuar në vitin 2018. Ne mbi këtë bazë rekomandojmë hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por ato duhet të mbeten të fokusuara në vijueshmëri me reformat e ndërmarra. Dua të shoh më shumë progres dhe duhet të vijojë implementimi reformave”, theksoi Hahn. “Ky është kushti për të ecur përpara në rrugën europiane dhe për të vijuar me kapitujt e negociatave që janë 23-24 të tillë”, theksoi Hahn.

“Ne nuk mund të importojmë në BE problemet mes fqinjëve, kjo është urgjente për vendet e Ballkanit Perëndimorë”, theksoi Hahn. “Përshëndesim me këtë rast marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Ekonomia ka probleme në Ballkanin Perëndimor dhe kjo nuk lejon që këto vende të përfitojnë plotësisht nga avantazhet që i japim ne (BE). Duhet luftuar papunësia dhe duhet forcuar stabiliteti ekonomik si bazë për stabilitet politik”, vijoi Hahn.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet