Kroacia: ''Negociatat duhet të fillojnë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut''

Presidentja e Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarovic deklaroi sot në Tiranë se “negociatat duhet të fillojnë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Në përfundim të punimeve të Samitit të Brdo-Brijunit mbajtur sot në Tiranë, Presidentja kroate deklaroi se “Kroacia do ta mbështesë hapjen e negociatave dhe do të vazhdojmë të argumentojmë nevojën e përmirësimit të proceseve të tjera që kanë këto vende kandidate”.

Ne, tha Grabar-Kitarovic, “jemi duke e shtyrë përpara këtë proces për ta bërë këtë pjesë të Europës, axhendë europiane”.

“BE është e paplotë pa këtë pjesë natyrale të saj. Unë nuk dua të përmend fjalën zgjerim por dua të përdor përfshirje dhe konsolidim të BE-së me vendet e rajonit. Ky proces duhet përdorur si katalizator për strategjinë e zgjerimit, për zgjidhjen e problemeve të hapura që ne kemi, që të arrihet anëtarësimi i plotë”, tha ajo.

Presidentja e Kroacisë deklaroi po ashtu se “ne duam që edhe Bosnje-Hercegovina të bëhet sa më shpejt një vend kandidat, ashtu sikurse duam sa më shpejt liberalizimin e vizave për Kosovën”.

Ne mbështesim një proces mbi meritën, vijoi Presidentja kroate duke shtuar se “çdo vend duhet të ndjeki hapat e duhura në rrugën e anëtarësimit në BE”.

“Jam e frikësuar se situatat që kemi tani, me diskutimet brenda vetë BE-së, jemi duke krijuar një vakum të rrezikshëm për Europën Juglindore. Ne po humbim zemrat dhe mendjet e njerëzve, njerëzit po humbasin besimin. Unë e mbështes përfshirjen e Europës Juglindore në mënyrë që të ruhet paqja brenda këtij rajoni”, tha Grabar-Kitarovic, duke siguruar se “ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për ta arritur këtë”.

Ajo tha po ashtu se reformat duhet të vijojnë pasi ato nuk janë diçka që bëhen për Brukselin por bëhen për vendet tuaja.

Në përfundim, Grabar-Kitarovic siguroi se gjatë Presidencës kroate në gjysmën e dytë të vitit 2020 ne do ta vendosim fokusin në Europën Juglindore dhe do të organizojmë edhe një samit për Europën Juglindore dhe të ardhmen e këtij rajoni”.

“Nga ana jonë do të vazhdojmë t’ju shtyjmë në përpjekjet tuaja për tu anëtarësuar, por ju duhet të merrni hapat tuaj në këtë drejtim”, tha ajo.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet