Macron nuk pranoi çeljen e negociatave, Ambasadorja Christina Vasak zbut tonet

Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christina Vasak ka reaguar për herë të parë pas vendimit të Francës kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Nga Elbasani Elbasanit, ambasadorja Vasak theksoi se vendimi për vendin tonë do të merret në maj të 2020-s, në samitin e Zagrebit.

Ambasadorja franceze theksoi se presidenti Emmanuel Macron është shprehur qartë për mbështetjen që do t’i japë Shqipërisë dhe vendeve të tjera që kërkojnë hapjen e negociatave.

“Vendimi i Këshillit Evropian nuk i mbyll dyert Shqipërisë. Është vendim solemn, por jo mbyllje e dyerve definitive për Shqipërinë. Është lënë një takim në vazhdim gjatë Samitit të Zagrebit. Ky samit është i rëndësishëm sepse Kroacia merr Presidencën e Këshillit Evropian dhe të gjitha vendet e BE-së do të luajnë një rol të rëndësishëm sepse duhet të ketë një vendim unanim. Në këtë takim të rëndësishëm do të diskutohet për ecurinë e Shqipërisë dhe të ardhmen e saj. Presidenti i Francës është shprehur qartë për mbështetjen që do t’i japë Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të tjera pretendente për hapjen e negociatave”, është shprehur ambasadorja.

Parisi është vendosur në qendër të kritikave sa i përket vetos së vendosur për hapjen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin.

Përveç shteteve anëtarë të BE-së, kritikat kanë ardhur nga Uashingtoni, duke paralajmëruar se vendimi francez i hap rrugë depërtimit të Rusisë, Kinës dhe Turqisë në Ballkanin Perëndimor.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet