Metodologjia e re e BE-së, Ursula von der Leyen: Hap rrugën për hapjen e negociatave të Shqipërisë

Metodologjia e rishikuar e BE-së për zgjerimin i hap rrugën Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për të nisur negociatat për anëtarësim në BE mundësisht para Samitit të Zagrebit.

Në një prononcim për mediet përpara tryezës së përbashkët “BE dhe Krerët e Vendeve të Ballkanit Perëndimor”, Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen theksoi se në këtë takim “kishim prioritet Ballkanin Perëndimor në Komision dhe e dini që është në interesin e përbashkët ta kemi sa më afër Bashkimit Europian Ballkanin Perëndimor”.

“E dini që kemi rishikuar metodologjinë tonë dhe pas rishikimit kjo metodologji duhet të krijojë dhe rifitojë besimin e ndërsjelltë te procesi sepse përshpejton status quo-n e reformave dhe nga ana tjetër krijon prespektivë të besueshme për Ballkanin Perëndimor që t’i bashkohen në të ardhmen BE-së. Gjithashtu i hap rrugën Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për të nisur negociatat për anëtarësim në BE mundësisht para Samitit të Zagrebit”, u shpreh presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen.

“Në lidhje me samitin po përgatisim një paketë investimesh nga Komisioni dhe shpresojmë që Këshilli të japë dritën jeshile në këtë aspect”, shtoi ajo.

Ursula von der Leyen foli edhe për Konferencën e Donatorëve për Shqipërinë që mbahet nesër në Bruksel.

“Nesër do të mbahet Konferenca e Donatorëve për Shqipërinë me qëllim që të ngremë fonde për rindërtimin pas tërmetit të rëndë që ka goditur Shqipërinë”, u shpreh ajo.

Author
Doriana Metollari

Doriana Metollari, është gazetare dhe Editore e platformes informative online Hermesnews.al, themeluar në Itali në vitin 2006. Ka menaxhuar dhe disa gazeta të tjera online po në Itali, një prej tyre dhe në bashkëpunimin me kompaninë 'Edizioni Vivere' në Le Marche. Ajo ka drejtuar po ashtu projekte për Bashkimin Europian dhe për OKBnë në fushën e të drejtave, kulturës, teknologjisë dhe gazetarisë. Libri i saj i parë 'G-online' është një manual bazë për komunikimin online, gazetarinë dhe mediat sociale.

Shkruaj një koment

0 Komentet