Mungesa e unitetit kombëtar, mosmarrëveshjet në politikën e brendshme mund të pengojnë integrimin

Pas vizitës së tyre në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, Komiteti i Parlamentit Europian për Punët e Jashtme theksoi se të dyja vendet kanë treguar angazhimet e tyre në reformat në lidhje me BEnë, shkruan portali “European Western Balkans”.

Viti 2019 është një vit kyç për rrugën europiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, pasi në qershor shtetet anëtare të BE-së do të marrin një vendim nëse këto vende janë gati që të hapin negociatat për aderim.

Komiteti i PEsë për Punët e Jashtme u takua me përfaqësues të shoqërisë civile dhe krerë të politikës si dhe opozitën në të dyja vendet nga 27 shkurti deri më 1 mars.

Pas vizitës së javës së fundit, delegacioni i Komitetit të Punëve të Jashtme, i drejtuar nga Tunne Kelam (PPE), theksoi se: “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë zhvilluar reforma substanciale nën rrethana të vështira, si dhe është thelbësore që kryeqytetet e BE-së, duke pasur parasysh arritjet e regjistruara, të njohin progresin e vazhduar dhe të vendosin të hapin negociatat për aderim në BE këtë vit”.

“Në të njëjtën kohë, delegacioni i PEsë i bën thirrje të dyja vendeve që të mos humbasin kohë dhe të vazhdojnë të përqendrohen në reformimin e drejtësisë, ekonomisë, shtetit të së drejtës dhe Administratës Publike. Hyrja në një proces politik demokratik do të jetë me një rëndësi të madhe për vazhdimin e rrugës drejt një anëtarësimi të mundshëm të BEsë”, thotë Komiteti i PE-së për Punët e Jashtme.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut që të dyja i kanë bërë detyrat e shtëpisë për fillimin e bisedimeve për të hyrë në BE, por mungesa e një konsensusi për integrimin në BE rrezikon të minojë aspiratën e tyre drejt Europës. Ndonëse vendet kanë treguar vendosmërinë e tyre për reformim në lidhje me BE-në, mungesa e një uniteti kombëtar dhe mosmarrëveshjet në politikën e brendshme mund të pengojnë procesin”, thotë kryetari i delegacionit, Kelam.

Megjithatë, Komiteti i PEsë për Punët e Jashtme, rithekson mbështetjen e tij të qartë për hapjen e bisedimeve në vitin 2019.

“Ne presim për një vendim unanim nga shtetet anëtare të BE-së në Këshill”, thekson Kelam.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet