Edi Rama, Kryeministri i Shqiperise

Rama ne Bruksel, Shqiperia nuk kerkon favore nga BE

“Shqipëria nuk po kërkon ndonjë dhuratë dhe asnjë favor që nuk e meriton. Po kërkojmë thjesht çeljen e negociatave sepse e meritojmë”, deklaroi sot në Bruksel kryeministri Edi Rama.

Gjatë dëgjesës me grupin “Miqtë e Shqipërisë në Parlamentin Europian”, Rama vuri në dukje se “kemi bërë një nga një çdo gjë që është e shkruar në fletoren e detyrave tona të Shqipërisë dhe e kemi bërë sipas rregullave aty”.

Duke vënë në dukje se nuk e kemi bërë sepse Brukseli na e kërkon që ta bëjmë këtë gjë, kryeministri tha se “sot ne e bëjmë sepse është e mirë për vendin tonë dhe për brezat e ardhshëm.

Por e bëjmë në të njëjtën kohë, vijoi Rama, sepse duam që të marrim nga Brukseli, pranimin dhe dritën e gjelbër nga vendet anëtare për të nisur bisedimet për anëtarësim e kjo është arsyeja pse gjendemi këtu.

Kreu i Ekzekutivit tha se “së bashku me miqtë e Shqipërisë mund t’i bëjmë gjërat të ndodhin dhe të sigurohemi që ata që janë më skeptikë, të kuptojnë që çelja e negociatave me Shqipërinë nuk është krijimi i një problemi të ri potencial, por është thjesht çelja e një procesi që do ta bëjë Europën më të fortë pasi Ballkani ka nevojë dëshpërimisht për Europën, por edhe Europa ka nevojë për Ballkanin strategjikisht”.

Që prej 2014, tha Rama, kemi një ndryshim mjaft thelbësor e të rëndësishëm, që është vullneti i përbashkët për të punuar së bashku drejt një të ardhmeje më të mirë, për të bashkëpunuar e për ta sjellë të gjithë rajonin në një nivel tjetër, në kuptimin reciprok e të respektit të ndërsjellët. “Njëkohësisht, ashtu siç e tha mjaft mirë Presidenti, është një rajon ku jo për arsye që nuk janë thënë e për arsye që janë të thella, ne kemi kaluar konflikte e kemi kaluar luftëra dhe një rajon”, nënvizoi ai.

Sipas tij, “ne dhe askush tjetër në këtë ndërtesë a në këtë qytet, nuk duhet ta harrojë se ajo që është arritur është një arritje mjaft e madhe, por është po me kaq rëndësi që kjo arritje të mbrohet e të përforcohet”.

Rama nënvizoi se Europa është një besim në rajonin tonë, që mbledh e bën bashkë gjithkënd, pavarësisht etnisë dhe besimit të tij fetar.

“Mund të dukemi naivë, në një moment kur Europa vihet në dyshim në shumë vende të mëdha europiane. Mund të shfaqemi të paduruar, por nuk jemi as naivë e as të paduruar, thjesht e dimë çfarë do të thotë lufta, që nuk është rasti për shumë europianë, të cilët nuk kanë parë luftë, e ndonjëherë harrojnë që kjo është kështu për shkak të Bashkimit Europian përmbi të gjitha”, theksoi kryeministri.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet