Reforma në drejtësi e Shqipërisë forca lëvizëse drejt hapjes së negociatave

Në konkluzionet e tij të 18 qershorit, që u mbështetën edhe në samitin e Këshillit Europian të 20 qershorit, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme (GAC) vendosi të shtyjë vendimin e tij për propozimin e KE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për në tetor 2019, shkruan profesoresha e Universitetit të njohur kërkimor holandez të Leidenit, *Darinka Piqani, në faqen kushtuar çështjeve ligjore, leidenlawblog.nl.

”Edhe pse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut morën vlerësime pozitive nga Komisioni për hapjen e negociatave për anëtarësim, për shkak të kohës së kufizuar të disponueshme dhe rëndësisë së çështjes, Këshilli u angazhua që t’i rikthehej kësaj çështjeje, në mënyrë që të të arrijë një vendim të qartë dhe substancial, jo më vonë se tetori 2019.

Ky rekomandim pozitiv bazohej në përparimin e dukshëm të arritur dhe në faktin se kushtet e vendosura unanimisht nga Këshilli në qershor 2018 ishin plotësuar.

Perspektiva europiane për Ballkanin Perëndimor u përcaktua për herë të parë në Këshillin Europian të Selanikut të vitit 2003. Kjo perspektivë mund të çojë përfundimisht në anëtarësimin, sapo të jenë përmbushur kriteret dhe kërkesat e Kopenhagës të Procesit të Stabilizim-Asocimit. Komisioni aktual i udhëhequr nga Juncker, duke e bërë të qartë se asnjë vend kandidat nga BB nuk mund të bashkohej me BE brenda mandatit të tij, u përpoq të japë një shtysë për perspektivën e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në këtë shkrim.

”Rekomandimi pozitiv i Komisionit Evropian për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut erdhi në një moment vendimtar për BE dhe për dy vendet e Ballkanit Perëndimor. Rekomandimi i Komisionit u bë disa ditë pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian (PE), i cili u zhvillua nga 23 deri më 26 maj 2019.

Për shkak të këtyre zgjedhjeve, Komisioni shtyu publikimin e raportit dhe rekomandimeve vjetore në mënyrë që çështja e zgjerimit të BE-së të mos ndikonte në rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Kjo ka ndikuar në mënyrë të qartë në konkluzionet e takimit të GAC-it, ku shtetet anëtare nënvizuan mungesën e kohës ndërmjet publikimit të rekomandimeve të Komisionit dhe mbledhjes së GAC-it të 18 qershorit.

Për shembull, Bundestagu gjerman shtyu diskutimin e tij mbi negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut deri në vjeshtë, pasi nuk kishte kohë për ta bërë këtë përpara pushimit të saj të verës. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ka zgjidhur mosmarrëveshjen e emrit me Greqinë pas vitesh të tëra bllokimi”, shtohet në të.

”Në anën tjetër, Shqipëria po zbaton një reformë ambicioze të gjyqësorit pas ndryshimeve kushtetuese në korrik 2016. Kjo reformë ka në thelb rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve (vettingu) dhe ka çuar ndër të tjera në shkarkimin e gjyqtarëve në nivele të larta, përkatësisht të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

Presidenti i Republikës, duke vënë në dukje mospjesëmarrjen e opozitës në procesin zgjedhor, nxori një dekret të ri presidencial që anulonte datën e zgjedhjeve. Shumica qeverisëse e konsideroi këtë dekret shkelje të kompetencave presidenciale. Këto zhvillime përforcojnë perceptimet ekzistuese mbi brishtësinë e institucioneve dhe mund të vënë në dyshim disa nga gjetjet pozitive në raportin e Komisionit Europian në lidhje me funksionimin e institucioneve demokratike”, theksohet në shkrim.

”Në këtë kontekst, si mund të lexohen konkluzionet e Këshillit për Çështje të Përgjithshme dhe Këshillit Europian të qershorit 2019?

Këto përfundime pasqyrojnë natyrën e thellë politike të procesit të zgjerimit, i cili ka sjellë mospërputhje midis institucioneve të BE-së (Komisionit dhe Këshillit) dhe ndërmjet shteteve anëtare skeptike (Holanda, Franca dhe Danimarka) dhe vendeve të tjera të BE-së. Për dy vite me radhë, Komisioni ka arritur në përfundimin se të dy vendet janë të gatshme për të hapur negociatat ndërsa Këshilli nuk arrin të hapë dritën e gjelbër, ndoshta edhe duke rrezikuar besueshmërinë e politikës dhe kushteve të zgjerimit.

Përveç kësaj, mes shteteve anëtare të BE-së mund të shihen divergjenca: më 11 qershor 2019 parlamenti holandez votoi mbi një mocion kundër hapjes së negociatave të pranimit me Shqipërinë, ndërsa një lëvizje e ngjashme nuk u mbështet për Maqedoninë e Veriut. Presidenti Macron vazhdimisht ka marrë një qëndrim të kujdesshëm në lidhje me Ballkanin Perëndimor dhe politikën e zgjerimit: francezët mbajnë qëndrimin se BE duhet të pranojë shtete të reja anëtare vetëm pasi të jetë reformuar nga brenda. Nga ana tjetër, disa ditë përpara takimit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme, 13 shtete anëtare të BE-së, duke përfshirë Italinë, Austrinë dhe të gjitha vendet që u bashkuan me BE-në gjatë tre valëve të fundit të zgjerimit me përjashtim të Rumanisë dhe Qipros, lëshuan një deklaratë në të cilën ata i kërkuan Këshillit për Çështje të Përgjithshme të ndjekë rekomandimin pozitiv të Komisionit.

Sidoqoftë, do të ishte për të ardhur keq nëse politika e zgjerimit do të humbiste. Lidhur me Maqedoninë e Veriut forca lëvizëse e BE-së ishte zgjidhja e mosmarrëveshjes së emrit me Greqinë dhe me Shqipërinë është reforma në drejtësi. Këto janë shembuj të ndikimit që BE mund të ketë në rajon. Vendet në rajon janë padyshim demokraci të brishta siç e tregon edhe kriza politike në Shqipëri. Megjithatë, ekziston rreziku që çdo shpejtësi e krijuar nga arritje ose reforma kuptimplota mund të humbasë nëse shtetet anëtare hezitojnë për një kohë të gjatë për të hapur dritën e gjelbër të paktën për bisedimet e pranimit”, përfundon ai.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet