“Biznes Albania”, 14 kërkesa për Ministrinë e financave

‘Biznes Albania’ i ka propozuar Ministrisë së financave 14 kërkesa për lehtësimin e veprimtarisë së biznesit, në kuadër të diskutimeve për paketën fiskale. Në takimin e zhvilluar mes Ministrit të financave Arben Ahmetaj dhe kryetarit të ‘Biznes Albania, ky i fundit kërkoi rishikimin e disa taksave dhe procedurave. Bregasi i kërkoi Ministrisë së financave rishikimin e taksës vendore të pasurisë për ndërmarrjet e fasonit dhe hoteleve, pasi aplikimi në nivelet aktuale, 400 lekë për m2 është i lartë. Në kërkesë është përfshirë edhe përmirësimi i proceduarave për mbylljen e aktivitetit dhe çregjistrimin e biznesit.

Për të lehtësuar sektorin e transportit, bregasi përsëriti kërkesën e shoqatës së transportit për heqjen e taksës së kamionëve që eksportojnë mallra drejt Italisë. Gjithashtu është kërkuar që Komisioni i apelimit të gjobave të kalojë në varësi të Financave, dhe jo të tatimeve që është aktualisht.

Për sektorin e ndërtimit ‘Biznes Albania’ propozoi heqjen e çmimeve të referencave, si dhe heqjen e përgjegjësisë fiskale ndaj firmave të ndërtimit për t’ua kaluar pronarëve të truallit. Një kërkesë tjetër ishte edhe ajo për regjistrimin e 300 objekteve, që janë në pritje të vendimeve të ALUIZNI-t.

Përsa i përket eksporteve, ‘Biznes Albania’, propozoi futjen e sistemit doganor të shërbimit të operatorit ekonomik për zhdoganimin e mallit në ndërmarrje. Një shqetësim tjetër i ngritur ishte edhe vendosja e gjobave në rastet kur sistemi pëson defekte. Ndërkohë është kërkuar edhe rishikimi i kuotave për disa produkte, si edhe mbështetje më e madhë për fasonët.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet