32 milionë dollarë per modernizimin

Perceptimi i korrupsionit në ofrimin e shërbimeve mbetet i lartë

TIRANË - Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Grupit të Bankës Botërore miratoi financimin prej 32 milionë dollarësh amerikanë nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për “Projektin e ofrimit të shërbimeve me në qendër qytetarin”. Projekti synon të përmirësojë cilësinë dhe aksesin ndaj shërbimeve administrative në Shqipëri.

Pavarësisht përmirësimeve të mëdha gjatë dekadës së fundit, veçanërisht për shërbimet ndaj biznesit, ofrimi i shërbimeve administrative në Shqipëri është larg standardeve europiane. Më shumë se një milion qytetarë përballen me një strukturë shtetërore shërbimi jo shumë efikase dhe të fragmentuar gjatë marrjes së shërbimeve, ku korrupsioni dhe pabarazia janë të pranishme.

Perceptimi i korrupsionit në ofrimin e shërbimeve mbetet i lartë. Analiza Sistematike e Bankës Botërore për Vendin (2015) – identifikoi ofrimin e shërbimeve publike si pengesë për një rritje të qëndrueshme dhe të drejtë. Reformat institucionale që synojnë uljen e korrupsionit janë në krye të listës së kërkesave të BE-së për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në të.

Projekti i ri është në të njëjtën frymë me programin e reformave të Qeverisë shqiptare për ofrimin e shërbimeve publike, “Inovacioni për të luftuar korrupsionin” që filloi në qershor të 2014. Qendra e propozuar e shërbimeve “one-stop-shop” (shërbim i shpejtë në një sportel të vetëm) në Tiranë, reforma rregullatore, rritja e numrit të shërbimeve të ofruara elektronikisht, procesi i ristrukturimit dhe dixhitalizimi janë elementë kyç të kësaj reforme.

“Projekti synon të mbështesë Shqipërinë për të kryer reforma me shtrirje sa më të gjerë dhe tërësore”, theksoi Tahseen Sayed, Menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë. “Përmes fokusit në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve, rritjen e transparencës, uljen e shtrirjes së korrupsionit, dhe rritjen e llogaridhënies prej Qeverisë, projekti i ri përforcon më tej Kuadrin e partneritetit për Shqipërinë që është aprovuar së fundmi.”

Projekti fokusohet në uljen e kohës dhe të kostove të ofrimit të shërbimeve publike për qytetarët dhe për qeverinë përmes ofrimit të shërbimeve online dhe dixhitalizimit, uljes së shtrirjes së korrupsionit, vënies në zbatim të ofrimit të shërbimeve moderne, dhe miratimit të etikës administrative ndaj qytetarit gjatë ofrimit të shërbimeve publike. Projekti gjithashtu, do të krijojë një mekanizëm në mënyrë që qytetarët të japin vlerësimin e tyre mbi performancën e ofrimit të shërbimeve.

“Qytetarët janë përfituesit kryesorë të këtij projekti. Atado të përfitojnë nga efikasiti më i madh në ofrimin e këtyre shërbimeve duke u kursyer kohë dhe para. Përmes aktiviteteve specifike, projekti do të bëjë të mundur që personat e varfër dhe vulnerabël të kenë një akses të përmirësuar në shërbimet administrative”, theksoi Jana Kunicova, Specialiste e Lartë në Sektorin e Shërbimeve Publike pranë Bankës Botërore si dhe Drejtuese e Projektit. “Nga ky projekt pritet që të ulet ndjeshëm koha që duhet për të marrë lejen e qarkullimit apo librezën e shëndetit, si edhe numri i ditëve që duhet për të aplikuar për marrjen e pensionit, për të përmendur vetëm disa prej shërbimeve”.

Projekti është i përbërë nga tre komponentë. Komponenti 1 mbështet rritjen e sistemeve ndihmëse: ristrukturimin e shërbimeve ndaj bizneseve, ndërtimin e sistemeve të reja të teknologjisë së informacionit (IT) dhe dixhitalizimin e shërbimeve. Komponenti 2 mbështet rritjen e bashkëveprimit të qytetarëve me ofrimin e shërbimeve, reformimin e zyrave që ofrojnë shërbim në agjencitë ekzistuese, përmirësimin e përdorimit dhe lehtësirave të ofruara ndaj qytetarëve në zyrat e ofrimit të shërbimit “one-stop-shop”, përmirësimin e ofrimit të shërbimeve online, zbatimin e procesit të marrjes së vlerësimit nga ana e përfituesve, dhe ofrimin e informacionit mbi shërbimet. Komponenti 3 mundëson ndërtimin e kapaciteteve të Qeverisë për të ofruar përmirësime në shërbime, përfshi këtu edhe zbatimin e një strategjie dhe fushat e informimit.

Që kur Shqipëria u bë pjesë e Bankës Botërore më 1991, vendi ka përfituar në total 87 projekte me një vlerë prej 2.4 miliardë dollarësh amerikanë në formën e kredive dhe granteve nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim, dhe huave nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet